Rusia pushtoi Ukrainën saktësisht një muaj më parë më 24 shkurt. Titujt e mediave të shkruara dhe dixhitale, postimet në rrjetet sociale dhe lajmet e përgjithshme të një lufte kaq të padrejtë nxjerrin dy përfundime krejtësisht të ndryshme për ne.
Përfundimi i parë është historia e agresionit ushtarak të fuqisë së dytë më të madhe ushtarake në botë kundër ushtrisë shumë më të vogël të Ukrainës. Është e vështirë të lexosh ose shikosh video të bombardimeve brutale të spitaleve, zonave të banuara, vendeve të kultit, fabrikave, rrugëve, shesheve dhe qyteteve të të gjitha madhësive.
Përfundimi i dytë janë historitë e pafundme të popullit të Ukrainës, duke qëndruar së bashku dhe duke luftuar për atdheun e tyre. Politikanët ukrainas, qytetarët e thjeshtë, të moshuarit, personalitetet sportive dhe të famshmit i kanë dhënë përparësi dashurisë për vendin e tyre mbi të gjitha dhe kanë fituar vlerësime ndërkombëtare.
Me pushtimin rus të Ukrainës, shumë analistë dhe komentues dukej se ishin tronditur nga shpërfillja e hapur e Vladimir Putin për të gjitha normat e diplomacisë ndërkombëtare. Askush me mendje dhe arsye të shëndoshë nuk do ta imagjinonte që Rusia do të pushtonte Ukrainën dhe do të vazhdonte pushtimin e saj për një muaj. Megjithatë, mund të thuhet se duke ditur interesin e Rusisë për të zgjeruar ndikimin e saj në rajon, shfaqja e kësaj lufte nuk ishte aq e largët. Skena ishte vendosur për këtë tragjedi shume vite me perpara, gjate aktiviteteve të Putinit, veçanërisht në Siri. Deri në vitin 2015, Irani dhe Rusia u përfshinë thellësisht në punët e qeverisë së Sirisë për të mbështetur regjimin vrasës të diktatorit brutal, Bashar al-Assad.