Wednesday, February 8, 2023

Gjykata Kushtetuese Belge Pezullon Ekstradimin e Diplomatit-Terrorist të Iranit

Në një vendim të paprecedent më 8 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e Belgjikës pezulloi ekstradimin e diplomatit-terrorist të burgosur të Iranit, Assadollah Assadi. Ky urdhër vjen pas një fushate të suksesshme ligjore nga Rezistenca Iraniane dhe pasi politikanë të shquar kanë kundërshtuar marrëveshjen për shkëmbimin e të burgosurve midis Teheranit dhe Brukselit.

“Gjykata pezullon nenin 5 të ligjit të 30 korrikut 2022 i cili miratonte traktatin e 11 marsit 2022, traktat i cili lejonte transferimin në Iran të një iraniani të dënuar në Belgjikë për kryerjen e një vepre terroriste me mbështetje të Iranit. Gjykata vendos për anulimin e tij brenda tre muajve”, thuhet në aktvendim.

I arrestuar në vitin 2018 pas përpjekjes së tij për të shpërthyer një bombë në samitin e përvitshëm “Irani i Lirë” të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, Assadi u dënua me 20 vjet burg në vitin 2020 i akuzuar për terrorizëm. Ai ishte diplomati i parë i arrestuar në Evropë në shekullin e fundit. Gjatë gjyqit të tij, u zbulua se para arrestimit të tij, Assadi menaxhonte rrjetin e terrorizmit dhe spiunazhit të regjimit iranian në Europë nën petkun e këshilltarit të tretë të ambasadës së Iranit në Vjenë.

Paditësit e kësaj çështjeje, si dhe të çështjes fillestare kundër Asadollah Assadit, përfshijnë NCRI-në, presidenten e zgjedhur të saj, zonjën Maryam Rajavi, e cila ishte shënjestra kryesore e atentatit të dështuar me bombë në vitin 2018, si dhe disa politikanë të njohur amerikanë dhe europianë.