Friday, March 29, 2024

Fushata Keqinformuese e Regjimit Iranian Kundër MEK

 

Iran’s Regime Disinformation Campaign Against the MEKKrijimi dhe shpërndarja e lajmeve të rreme kundër Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (MEK/PMOI) është një nga mënyrat e njohura që regjimi i mullahëve përdor kundër forcës kryesore opozitare dhe alternativës demokratike.

Në periudhën një-vjeçare midis verës së 2015-ës dhe verës së 2016-ës, mediat shtetërore iraniane kanë prodhuar mbi 300 filma e seriale televizive për ta demonizuar Organizatën Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI-MEK). Gjatë 2016-ës, regjimi iranian ka publikuar gjithashtu edhe 14 libra të ndryshëm ku dënon MEK-un dhe shpif për të. Edhe sot, Teherani publikon një revistë të përmuajshme dhe menaxhon të paktën 13 faqe interneti që i kushtohen kësaj teme, për të mos përmendur fare llogaritë e panumërta me identitete të rreme në rrjetet sociale, të cilat kanë kontribuar në fushatën e keqinformimit gjatë viteve të fundit.

MEK është njohur si armiku kryesor i regjimit klerikal dhe pengesa më e madhe ndaj ruajtjes së pushtetit prej tij që në ditët e para të regjimit në Iran. Në vitin 1981, MEK udhëhoqi protestën e parë të madhe kundër regjimit. Teherani u përgjigj menjëherë me plumba e rrahje, duke vrarë në vend qindra njerëz. Kur kjo gjë nuk arriti ta shuante mospajtimin, regjimi filloi me masat e egra shtypëse që kishin në shënjestër në mënyrë specifike MEK-un. Kjo kulmoi në verën e 1988-ës me masakrën ndaj 30,000 të burgosurve politikë, shumica dërrmuese e të cilëve ishin anëtarë e simpatizantë të njohur të MEK.

Por as masakra e 1988-ës nuk arriti ta shtypte mbështetjen publike për grupin me themelet më të forta e më të organizuar pro demokracisë. Kjo mbështetje u zhvendos nëntokë, por vazhdoi të rritej. Vrasjet e aktivistëve të MEK vazhduan edhe në vitet 90, shpesh duke ndodhur shumë larg përtej kufijve të Iranit. Por teksa organizata vazhdonte të demonstronte qëndresën e saj, strategjia e Iranit për t’iu kundërvënë qëndrimeve pro-demokracisë nisi të prirej drejt fushatës keqinformuese e cila do të merrte pamjen e një perandorie transmetimesh e botimesh.

Një pjesë e madhe e kësaj fushate ka synimin ta reduktojë mbështetjen për MEK brenda vendit, ose të paktën ta mbajë nën tokë atë mbështetje. Por ky objektiv duket se dështoi në fund të 2017-ës kur Irani u mbërthye nga një kryengritje mbarëkombëtare e cila popullarizoi sllogane si “poshtë diktatori” dhe shprehu një rrymë të fortë mbështetjeje popullore për ndryshim regjimi. Teksa ajo kryengritje vazhdoi edhe në janar 2018, Lideri Suprem i regjimit Ali Khamenei mbajti një fjalim në të cilin e pranoi faktin se MEK ishte burimi i atyre slloganeve dhe një forcë shtytëse prapa lëvizjes protestuese.

Ky ishte një zhvillim i rëndësishëm sepse vuri në dyshim propagandën që vetë regjimi i Khamenei-t kishte bërë për MEK-un gjatë 30 viteve të fundit. Që nga masakra e 1988-ës, Teherani kishte vepruar sikur ato vrasje kishin patur sukses në shpërbërjen e organizatës. Kur zyrtarët e qeverisë apo mediat shtetërore i referoheshin MEK-ut në publik, thjesht e quanin atë si një “kult” apo një “grup i vogël,” duke nënkuptuar një mungesë pothuajse të plotë mbështetjeje apo force organizacionale. Kjo ishte qartësisht e papërputhshme me rolin e kësaj organizate në udhëheqjen e lëvizjes mbarëkombëtare në fillim të 2018-ës.

Brenda Iranit, ky aspekt i propagandës së regjimit nuk është shëruar ende, dhe ka arsye për të besuar se nuk do të shërohet kurrë. Por gjithsesi, me kaq shumë protestues që shprehin mbështetje për MEK nga kaq shumë lokalitete të ndryshme, ka mjaft arsye për të besuar se kjo propagandë nuk ia ka arritur asnjëherë qëllimit të saj. Kështu që do të ishte e lehtë të arrihej në përfundimin se qindra biliona dollarët e shpenzimeve për fushatën keqinformuese kanë shkuar të gjitha dëm, po të mos ishte për faktin që propaganda iraniane për MEK-un në të vërtetë ka hedhur rrënjë të forta jashtë Iranit, sidomos në mediat perëndimore.