Rezistenca e grave iraniane

1015

Rezistenca e grave iraniane

Diana Culi

Nga Diana Culi

Tashmë janë disa vite që kam ndjekur rezistencën e opozitës iranane  dhe veçanërisht atë të grave. Ato janë të pamposhtura në qëndresën e tyre për demokraci e barazi të drejtash, për ndryshimin e regjimit në Iran dhe për themelimin e një republike demokratike në vend të diktaturës fetare të mullahëve. Jo rastësisht në krye të kësaj rezistence qëndron një grua e veçantë dhe frymëzuese, Maryam Rajavi.

Më 6 shtator 2025, me mijëra e mijëra burra e gra iraniane nga e gjithë bota do të mblidhen në Bruksel, në kryeqytetin e Evropës, për të demonstruar këto qëndrime për çlirimin e vendit të tyre nga diktatura e egër.

Për ne, shqiptarët, që kemi jetuar nën diktaturë për gati gjysmën e dytë të shekullit XX, iranianët janë simbole të reja të rezistencës kundër një diktature të ashpër fetare në fund të shekullit XX dhe në gjysmën e parë të shekullit XXI.

Në një thirrje ndërkombëtare në mbështetje të demonstratave, Nënkryetarja e Kosta Rikës, Ana Helena Echeveria, theksoi rolin e grave iraniane në rezistencë, duke thënë:
“Për më shumë se katër dekada, gratë në Iran kanë udhëhequr rezistencën, duke u përballur me burgosje, tortura dhe ekzekutime. Le të jetë Brukseli zëri i grave iraniane dhe i lirisë. Ndaloni ekzekutimet, shpallni Gardën Revolucionare në listën e zezë dhe njihni planin me 10 pika të Maryam Rajavit. Bashkohuni me ne më 6 shtator!”

Ajo i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar t’i japë fund politikave të pajtimit ndaj regjimit iranian dhe të mbështesë luftën e popullit iranian për Liri.

Demonstratat, të cilat pasqyrojnë thirrjen e Rezistencës Iraniane për ndryshim regjimi – “Jo luftës, jo pajtimit, po ndryshimit të regjimit nga vetë populli i Iranit” priten të jenë një moment vendimtar në këtë betejë. Le të shpresojmë fort se ky ndryshim do të vijë sa më parë.