Wednesday, February 8, 2023

Regjimi i Iranit i Shton Paralajmërimet për Koronavirusin për t’u Përballur me Kërcënimin Gjithnjë në Rritje të Trazirave Publike

Shkruar nga Shahriar Kia

Forcat anti-rebelim të regjimit iranian (foto fajli)

 

Irani po përballet me një “valë të tretë” infektimesh nga koronavirusi, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të regjimit. Ministria e Shëndetësisë e mullahëve ka pranuar ekzistencën e një vargu bilancesh të viktimave që thyejnë rekorde brenda një dite që në mes të tetorit, madje edhe duke përdorur statistikat e fabrikuara të regjimit.

Rritjet e përditshme e kanë çuar totalin zyrtar të vdekjeve në Iran në pothuajse 36,000. Por shifrat zyrtare do të vazhdojnë të shfaqin vetëm një fraksion të së vërtetës. Sipas Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK), e cila e ka ndjekur ecurinë e epidemisë përmes burimeve të veta të inteligjencës, numri i vërtetë i vdekjeve është tashmë mbi 142,000. Kjo shifër e hedh poshtë idenë e një “vale të tretë” dhe nënkupton që vala e parë e infektimeve në Iran nuk ka marrë fund ndonjëherë, sepse regjimi asnjëherë nuk ka marrë masa të efektshme për ta adresuar atë.

Raportet e MEK janë të bazuara tek të dhënat e spitaleve dhe morgjeve, si dhe tek tregimet e dëshmitarëve okularë dhe të dhënat nga Organizata Kombëtare e Emergjencave në Iran, të dhëna të cilat tregojnë se virusi ishte përhapur në vend më shumë se një muaj përpara se autoritetet e regjimit ta pranonin zyrtarisht atë. Por, i gjendur përballë kritikave, Presidenti i regjimit Hassan Rouhani ka deklaruar paturpësisht se regjimi “nuk ka vonuar as edhe një ditë të vetme” në shpalljen e rrezikut ndaj shëndetit publik.

Në fakt, zgjedhjet e rreme parlamentare me sa duket e kanë nxitur regjimin që më në fund t’i pranojë dështimet e tij në frenimin e sëmundjes. Zgjedhjet parlamentare të regjimit u përballën me një bojkot të paprecedent mbarëkombëtar, edhe pse autoritetet e regjimit i zgjatën orët e votimit në ditën e zgjedhjeve pasi u kishin bërë thirrje të gjithëve të merrnin pjesë si nje detyrë fetare dhe patriotike. Por, vetëm pak ditë larg shpalljes së shpërthimit të koronavirusit, po ato autoritete u detyruan t’ua vinin fajin për pjesëmarrjen e ulët shqetësimeve shëndetësore, dhe jo pakënaqësive politike.

Për regjimin kishte një rëndësi thelbësore promovimi i kësaj narrative, duke qenë se zgjedhjet ishin zhvilluar afërsisht vetëm një muaj pas protestave studentore që e kritikuan ashpër Teheranin për faktin që kishte tentuar ta fshihte të vërtetën lidhur me një incident në të cilin një avion pasagjerësh u godit nga një raketë që i përkiste Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC). Ndoshta edhe më i rëndësishëm është fakti që ajo protestë u zhvillua më pak se dy muaj pas një kryengritjeje mbarëkombëtare anti-regjim gjatë së cilës IRGC hapi zjarr mbi turmat e njerëzve, duke vrarë mbi 1,500 protestues paqësorë pro-demokracisë.

Kryengritja në vetvete ishte një shenjë e dëshirës në rritje të publikut për ndryshim regjimi, si dhe e ndikimit në rritje të MEK, dhe rolit të saj udhëheqës gjatë kryengritjes. Me pak se dy vite më parë, gjatë një tjetër kryengritjeje në janar 2018, Lideri Suprem i mullahëve Ali Khamenei pranoi se MEK kishte luajtur një rol madhor në planifikimin e demonstratave dhe popullarizimin e slloganeve si “vdekje diktatorit.”

Trashëgimia e këtyre kryengritjeve pa dyshim që ka kontribuar në pjesëmarrjen e ulët të votuesve në shkurt, por regjimi e shfrytëzoi shpejt pandeminë e Covid-19 për ta turburlluar këtë çështje. Më pas, pa marrë asnjë masë për t’u konfrontuar seriozisht me krizën, regjimi e përdori gjithashtu atë kundër kërcënimit të demonstratave publike të mëtejshme.

Në mesin e “valës së tretë” është bërë e qartë përsëri se Teherani është i dëshpëruar që t’ia heqë vetes përgjegjësinë për ngadalësimin e përhapjes së sëmundjes, dhe t’ia vendosë atë mbi shpatulla popullit. Qeveria nuk i ka pranuar asnjërin nga dështimet e saj si shkaqe të rritjes së numrit të vdekjeve, por ka deklaruar se qytetarët e thjeshtë nuk po i zbatojnë rekomandimet e ekspertëve të shëndetit. Qeveria madje e ka bërë këtë në mungesë të protestave të gjera të llojit që ka karakterizuar dy vitet e fundit. Është e lehtë të imagjinohet se si autoritetet e regjimit do t’i demonizonin demonstrata të tilla në praninë e një përkeqësimi të krizës së sëmundjes.

Nëse kriza kishte filluar që përpara fundit të 2019-ës, pse pritën deri gjashtë javë pas fillimit të 2020-ës përpara se ta përmendnin atë krizë si nxitje për iranianët e pakënaqur që të rrinin në shtëpi? Arsyeja është se në janar ishin zhvilluar festimet shumë të rëndësishme të 40-vjetorit të themelimit të regjimit dhe autoritetet ishin përpjekur fort për të organizuar shfaqje publike me qëllimin për t’iu kundërvënë mesazhit të protestave masive.