Protestat në Iran: Si Mund t’a Ndihmojë Bota Popullin Duke Garantuar Akses në Internet

858

Shkruar nga Shahriar Kia

Kryengritja mbarëkombëtare e Iranit vazhdon pavarësisht goditjes së rëndë të regjimit dhe ndërprerjes së internetit. Sipas shumë vëzhguesve, vendi është në prag të një revolucioni. Për të parandaluar këtë rezultat, zyrtarët e regjimit përpiqen të shkëpusin popullin iranian nga bota dhe të vazhdojnë me turrin e vrasjeve.

Ahmad Vahidi, Ministri i Brendshëm i regjimit, njoftoi zyrtarisht më 23 shtator se bllokimi i internetit do të vazhdojë në Iran për sa kohë vazhdojnë protestat antiqeveritare.

Në nëntor 2019, regjimi vendosi me sukses një ndërprerje të internetit, duke mos lejuar që krimet e tij të bëheshin të ditura jashtë vendit dhe duke penguar përpjekjet e njerëzve për të koordinuar protestat në internet. Si rezultat, forcat shtetërore vranë të paktën 1500 protestues.

Ditët e fundit, Netblocks, një platformë e pavarur vëzhguese e internetit, raportoi “ndërprerje të rrjetit celular me orare të caktuara në mes të protestave për vdekjen e Mahsa Amini” dhe se “Instagram, WhatsApp dhe LinkedIn tani janë të kufizuara në shkallë kombëtare”.

“Irani tashmë është subjekt i kufizimeve më të rënda të internetit që nga masakra e nëntorit 2019. Rrjetet celulare janë mbyllur në masë (MCI, Rightel, Irancell – pjesërisht). Gjatë protestave janë vërejtur ndërprerje rajonale. Instagram dhe WhatsApp janë të kufizuara”, raportoi Netblocks më 21 shtator.

Ndryshe nga ajo që ndodhi në nëntor 2019, mbështetja ndërkombëtare në rritje për kryengritjen e popullit iranian solli një përpjekje globale për të anashkaluar censurën e regjimit. Ndërsa gjithnjë e më shumë iranianë dhe aktivistë bënë thirrje për internet satelitor, sipërmarrësi i teknologjisë Elon Musk njoftoi se kompania e internetit satelitor Starlink do të kërkonte një përjashtim nga sanksionet e SHBA-së për t’i ofruar shërbim popullit iranian.

Disa ditë më pas, Antony Blinken, Sekretari i Shtetit i SHBA, njoftoi se qeveria e tij “ndërmori sot veprime për të çuar përpara lirinë e internetit dhe rrjedhën e lirë të informacionit për popullin iranian, duke lëshuar një Licencë të Përgjithshme për t’u siguruar atyre akses më të madh në komunikimet dixhitale në mënyrë që t’i kundërvihen censurës së qeverisë iraniane.”

“Ndërsa qeveria e Iranit po i ndërpret popullit të saj aksesin në internetin global, Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin veprime për të mbështetur rrjedhën e lirë të informacionit dhe aksesin në informacionin e bazuar në fakte për popullin iranian”, tha Thesari në një deklaratë për shtyp.

“Me këto ndryshime, ne po ndihmojmë popullin iranian të jetë më mirë i pajisur që t’i kundërvihet përpjekjeve të qeverisë për t’i vëzhguar dhe censuruar,” tha Zëvendës Sekretari i Thesarit Wally Adeyemo.

Si përgjigje ndaj postimit të Blinken, Elon Musk postoi menjëherë në Twitter se ai “po aktivizon Starlink në Iran”.

Në një veprim të ngjashëm, WhatsApp, një platformë e mediave sociale e përdorur gjerësisht nga iranianët, njoftoi më 22 shtator se po bënte përpjekje për të ndihmuar protestuesit iranianë të lidhen me njëri-tjetrin.

“Ne ekzistojmë për të lidhur botën privatisht. Ne mbështesim të drejtat e njerëzve për të patur akses në mesazhe private. Ne nuk po bllokojmë numrat iranianë. Ne po punojmë për t’i mbajtur miqtë tanë iranianë të lidhur me njëri tjetrin dhe do të bëjmë gjithçka brenda kapacitetit tonë teknik për ta mbajtur shërbimin tonë në funksionim,” shkroi kompania në Twitter.

Ndërsa këto veprime përballen me pengesa teknike, ato janë një dëshmi e solidaritetit global me iranianët e ngritur në protestë dhe i dërgojnë një mesazh bindës teokracisë sunduese të Iranit se nuk mund t’i shtypë më protestuesit në fshehtësi.

Ndërkohë, siç citon Politico, një zyrtar amerikan tha më 23 shtator se “ndonëse veprimi ka për qëllim të mbështesë rrjedhën e lirë të informacionit për popullin iranian, ai nuk fshin mjetet që qeveria e Iranit ka për të penguar aftësinë e popullit të saj për të komunikuar me botën jashtë.”

“Kjo licencë e përgjithshme nuk i heq të gjitha mjetet e shtypjes së komunikimit që përdor qeveria e Iranit ndaj popullit të vet,” tha zyrtari i Departamentit të Shtetit të SHBA për Politico.

Megjithatë, krijimi i një interneti satelitor në Iran që mund të mbulojë të gjitha provincat dhe të lejojë protestuesit të lidhen duke përdorur telefonat e tyre celularë kërkon një përpjekje kolektive nga vendet fqinje të Iranit, pasi ofruesit e internetit satelitor si Starlink kanë nevojë për një bazë tokësore. Këto baza do të siguronin internet në një rreze prej gati 500 km rreth tyre.

Megjithatë, ndërsa kryengritja e dhjetë ditëve të fundit ka demonstruar vendosmërinë e kombit iranian për t’i dhënë fund tiranisë 43 vjeçare dhe për të eliminuar shtetin më aktiv në sponsorizim të terrorizmit, është koha që komuniteti ndërkombëtar të rrisë përpjekjet dhe të mbajë anën e protestuesve iranianë duke mos lejuar regjimin të bllokojë rrjedhën e informacionit.