Protesta në provincat Khuzestan dhe Kurdistan, Iran
Raportim nga PMOI/MEK
Iran, 31 maj 2020—Protestat po përshkallëzohen në mbarë Iranin teksa njerëz nga të gjitha sferat e jetës kërkojnë të drejtat e tyre.
Fshatarët pranë qytetit Jofair në provincën Khuzestan të Iranit jug-perëndimor u grumbulluan të shtunën, më 30 maj, dhe bllokuan një rrugë, duke protestuar për ndërprerjet e mëdha të ujit. Ka kompani të shumta nafte dhe gazi në zonat pranë, e megjithatë banorët vendas detyrohen të jetojnë në kushte të varfra. Banorët e këtyre fshatrave thonë se zyrtarë të ndryshëm kanë premtuar shumë herë se do ta zgjidhin këtë problem, por kanë ikur e nuk kanë marrë kurrë asnjë masë. Banorët kanë kërcënuar se do t’i mbyllin krejtësisht kompanitë e naftës dhe gazit, dhe toka llogaritet të ketë rreth 2 bilion fuçi nafte e shumë shtresa gazi natyror, e aftë për të dhënë rreth 6.5 milion këmbë kub çdo ditë.
Një grup punonjësish të Kompanisë së Telekomunikacionit të Fshatrave të Provincës Khuzestan u grumbulluan të shtunën jashtë zyrës së departamentit provincial dhe bënë thirrje që t’i kushtohet vëmendje statusit të tyre të punësimit dhe kushteve të varfra të jetesës.
Në Urmia të Iranit veri-perëndimor, një grup pronarësh tokash zhvilluan një tubim të shtunën për të kërkuar autorizime për projekte ndërtimi në tokat e tyre. Këta pronarë tokash kanë 20 vite që presin për autorizime të tilla në mënyrë që t’ua shtojnë tokat e tyre zonave të qytetit që po zgjerohen.
Gjithashtu, të shtunën, një gurp pronarësh bagëtish u grumbulluan jashtë zyrës së guvernatorit në qytetin Naqadeh të provincës Kurdistan, për të protestuar kundër urdhrave të dhëna nga zyrtarët vendorë për kufizimin e tokave që mund të përdorin për të ushqyer bagëtitë e tyre.
Në Isfahan, shoferët e kamionëve zhvilluan një tubim të premten, më 29 maj, për të protestuar kundër pezullimit nga puna për katër muajt e fundit dhe lënies pezull të statusit të punës së tyre. “Nuk kemi mundur ta kalojmë kufirin për katër muaj. Nëse nuk punojmë, do të vdesim urie,” tha një shofer. “Ka më shumë se 200 cisterna nafte që presin në kufi. Ka katër muaj që kamionët nga provinca Isfahan ndalohen në doganë në provincën Sistan & Baluchistan.”