Tuesday, January 31, 2023

Mediat Shtetërore Vazhdojnë të Paralajmërojnë për Trazira Shoqërore në Iran Teksa Krizat Përkeqësohen

Teksa krizat sociale dhe ekonomike në Iran vazhdojnë të intensifikohen dhe shoqëria bëhet gjithnjë e më e trazuar, mediat shtetërore të Iranit fundjavën e kaluar kanë vazhduar të publikojnë paralajmërime në lidhje me shtimin e reagimeve ndaj përkeqësimit të krizës.

Pandemia e Covid-19 vazhdon të bëjë kërdinë në Iran, me mijëra njerëz që vdesin çdo ditë për shkak të koronavirusit të ri. Valët e reja të infektimeve po godasin vendin njëra pas tjetrës, dhe me regjimin iranian që vonon programin e vaksinimit dhe përdor vaksina më pak të efektshme, është rritur shkalla e infektimeve dhe vdekshmërisë.

Gazeta shtetërore Arman-e Meli shkroi më 30 tetor se sipas shifrave shtetërore, 47% e popullsisë së Iranit ka marrë dy doza vaksine dhe 75% kanë marrë një dozë. Megjithatë, raportimet e qytetarëve nga i gjithë vendi kanë treguar për mungesën e efektshmërisë së vaksinave të përdorura, veçanërisht për shkak të mutacioneve të fundit të virusit dhe rritjes së numrit të pacientëve të infektuar.

Shumë ekspertë të shëndetësisë tani paralajmërojnë se me ardhjen e dimrit dhe përhapjen e virozave të stinës, numri i infektimeve nga Covid-19 në Iran mund të rritet, duke çuar në më shumë vdekje.

Për sa i përket krizës ekonomike në Iran, vendi është ende i prekur rëndë nga korrupsioni i regjimit dhe rastet e përvetësimeve të fondeve. Regjimi vazhdon të financojë grupet e tij terroriste në Lindjen e Mesme, ndërkohë që qytetarët iranianë luftojnë dëshpërimisht për të siguruar jetesën për vete dhe familjet e tyre, të rënë poshtë pragut të varfërisë.

E përditshmja MardomSalarie shkruan: “Sipas qendrës statistikore të Iranit, norma e inflacionit në të gjithë vendin në tetor ishte 45.4%, ndërkohë kjo normë luhatet. Çmimet e orizit, sheqerit dhe mishit në shtator janë rritur nga 28.4 në 71.6 për qind. Sheqeri ka patur rritjen më të madhe të çmimeve.”

Vlen të theksohet se pagat e punëtorëve dhe punonjësve iranianë janë rreth 4 milionë toman. Megjithatë, autoritetet e regjimit vonojnë dhënien e pagave.

Arman-e Meli paralajmëron se nivelet në rritje të varfërisë në Iran po e trazojnë edhe më tej shoqërinë, duke thënë se zyrtarët duhet t’i zgjidhin këto çështje së bashku me ekspertët ekonomikë sa më shpejt që të munden.

Më 30 tetor, e përditshmja Mostaghel shkruante: “Sistemi politik në Iran është përballur me krizat e legjitimitetit politik, efikasitetit ekonomik dhe korrupsionit strukturor për shumë vite”.

Ata paralajmëruan se nëse nuk bëhen reforma në strukturat dhe strategjitë në sistem, atëherë kjo mund të çojë në kolapsin e të gjithë qeverisë. Duke diskutuar për periudhën pas-revolucionare të vendit, ata deklaruan se shteti “nuk ka liri apo pavarësi ekonomike dhe politike” dhe se asgjë nuk ka mbetur “nga republika dhe krahët islamikë të sistemit”.

E përditshmja Hamdeli iu referua normës në rritje të inflacionit në Iran në botimin e saj të së shtunës, duke thënë se norma aktuale prej 58% është niveli më i lartë në Iran që në vitet 1940. Si rezultat i përkeqësimit të krizave, ata paralajmëruan për një “zemërim social të përgjithshëm” i cili do të “rezultojë në trazira të hidhura sociale”.

Më 31 tetor, media Aftab-e Yazd paralajmëroi: “Kur njerëzit nuk janë në gjendje të plotësojnë nevojat e tyre bazë, ata u bashkohen klasave shoqërore të varfra. Kur klasat e varfra zgjerohen së tepërmi, miliona njerëz nuk kanë më asgjë për të humbur dhe i drejtohen dhunës. Kjo sigurisht që do ta rrezikonte sigurinë e sistemit.”