Friday, March 29, 2024

Ligjvënësit Belgë Nxisin Organizatën e Punëtorëve që t’u Qëndrojë Përkrah Punëtorëve të Naftës që Janë Ngritur në Protestë në Iran

Komiteti belg i Parlamentarëve dhe Kryebashkiakëve për një Iran Demokratik, në një letër drejtuar Federatës Belge të Punëtorëve, ka shprehur solidaritetin e vet me punëtorët iranianë të naftës dhe industrisë petrokimike të cilët janë në grevë. Ata gjithashtu kanë nxitur Federatën e Punëtorëve që t’u qëndrojë përkrah punëtorëve iranianë dhe t’i mbështesë kërkesat e tyre të drejta.

Ligjvënësit belgë kanë dënuar gjithashtu shkeljet e vazhdueshme ndaj të drejtave njerëzore dhe ekzekutimet e kryera nga regjimi iranian.

Dita e enjte, 13 gusht, shënoi ditën e 13-të të një greve nga dhjetëra mijëra punëtorë iranianë të naftës, gazit, dhe industrisë petrokimike. Këto greva po zhvillohen në 51 zona në provincat Isfahan, Ardabil, Azerbaixhan Lindor, Azerbaixhan Perëndimor, Ilam, Bushehr, Khorasan Razavi, Khuzestan, Fars, Sistan dhe Baluchistan, Markazi, dhe Hormozgan. Grevistët përballen me kushte pune të patolerueshme në nxehtësi ekstreme, si dhe kushte të vështira jetese. Ata nuk kanë siguri pune pasi janë detyruar të firmosin kontrata të përkohshme. Ata nuk mbulohen as nga sigurimi shëndetësor, dhe as nuk marrin pensione. Punëdhënësit mund t’i heqin nga puna në çdo kohë. Pagat e tyre janë shumë herë më të ulëta sesa pragu i varfërisë, dhe as këto paga minimale nuk u janë dhënë për disa muaj.