Monday, February 6, 2023

Iran: Kryengritjet e natës vazhduan në Teheran dhe në qytete të tjera në natën e 46-të të kryengritjes mbarëkombëtare

Protesta në Iran-Nr. 9

Në natën e të hënës, më 31 tetor, natën e 46-të të kryengritjes, në Teheran dhe në disa qytete u zhvilluan demonstrata të natës dhe përleshje me forcat shtypëse. Banorët e rajonit Ekbatan të Teheranit vazhduan demonstratat e tyre prej disa netësh me radhë. Kjo zonë është kthyer në një nga qendrat e kryengritjeve të natës. Në netët e mëparshme, forcat shtypëse sulmuan shtëpitë dhe ngacmuan banuesit e tyre si akt hakmarrjeje. Të hënën në mbrëmje, në të njëjtën zonë, forcat shtypëse përdorën automjete me altoparlantë të vendosur sipër tyre për të transmetuar slogane kundër MEK-ut. Ata hodhën edhe bomba zanore nëpër shtëpi. Si përgjigje, njerëzit thërrisnin: “Vdekje diktatorit”. Në Mehr Villa të Karaj, njerëzit thërrisnin gjerësisht parulla kundër regjimit nga çatitë. Në qytetin Gharb të Teheranit, njerëzit thërrisnin nga çatitë, “Ky vit është një vit sakrifice, Seyyedd Ali (Khamenei) do të rrëzohet nga pushteti”. Në stacionin e metrosë Sadeghieh Golshahr në Teheran, njerëzit thërrisnin, “Vdekje diktatorit” dhe “Ne do të luftojmë, do të vdesim por do ta rifitojmë Iranin”.

Në Tabriz, në veriperëndim të Iranit, u zhvilluan demonstrata të natës dhe përleshje mes popullit dhe forcave shtypëse. Të rinjtë thërrisnin, “Ne jemi ushtarët e Babak, ne jemi gati të vdesim”, duke iu referuar një heroi legjendar historik. Protestuesit u përballën me forcat shtypëse dhe i detyruan t’ia mbathnin duke i gjuajtur me kokteje Molotov dhe gurë. Ata gjithashtu ndëshkuan disa forca shtypëse. Në Miandoab, provincën e Azerbajxhanit perëndimor, pati një përleshje natën mes të rinjve dhe forcave shtypëse. Të rinjtë në Malekshahi në Ilam, në Iranin perëndimor, shënjestruan stacionin e policisë, departamentin e inteligjencës dhe zyrën e Imamit të faljes të së premtes.

Njerëzit organizuan demonstrata të natës në Amol, në Iranin verior dhe Yazd, në Iranin qendror, duke thirrur, “Vdekje diktatorit” dhe “Vdekje Khameneit”. Në Arak, në Provincën Markazi, forcat shtypëse hapën zjarr ndaj demonstratave të natës dhe pati përleshje mes të rinjve dhe forcave të sigurisë. Në qytezën Valisar në Arak, ka patur një përplasje të ashpër mes protestuesve dhe forcave shtypëse. Të rinjtë i kanë vënë zjarrin një baze Basij në Arak. Banorët e Sanandaj dhe Marivan, në Iranin perëndimor, organizuan demonstrata të natës dhe bllokuan rrugën duke ndezur zjarr. Të rinjtë e guximshëm të Kamyaran i vunë flakën kamerave të survejimit të regjimit.

Ndërkohë, për shkak të kryengritjes mbarëkombëtare, frika dhe dezertimet po shtohen midis forcave shtypëse dhe parlamenti i regjimit ratifikoi një projektligj urgjent në lidhje me këtë çështje. Agjencia shtetërore e lajmeve Mehr raportoi më 30 tetor: “Pagat e forcave të armatosura do të rriten me 20 për qind dhe Forcat e Sigurisë së Shtetit do të vazhdojnë të përfitojnë paga shtesë për kohën e vështirësisë”.

Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI -Paris)

1 nëntor 2022