Friday, March 29, 2024

Iran: Grevë Mbarëkombëtare nga Punëtorët me Kontratë të Rafinerive të Naftës, Komplekseve Petrokimike, dhe Centraleve të Energjisë

 

Maryam Rajavi u bën thirrje të gjithë punëtorëve dhe rinisë që t’i mbështesin grevistët. Ajo thotë: Vazhdimi i protestave e grevave nga grupe të ndryshme tregon vendosmërinë e popullit iranian për ta përmbysur regjimin klerikal.

Punëtorët e industrive petrokimike dhe të naftës kanë qenë në grevë që më 19 qershor 2021, dhe u janë bashkuar edhe punëtorë të tjerë pasi kërkesat e tyre për rritje rroge dhe reduktim të ditëve të punës deri në 20 ditë në muaj u lanë pa përgjigje.

Të shtunën më 20 qershor, punëtorët me kontratë të Centralit të Energjisë me Cikël të Kombinuar në Pars-in Jugor (Centrali i Energjisë Farab Bidkhoon) nisën një grevë, duke kërkuar rritje rroge dhe 20 ditë pune e 10 ditë pushimi në muaj, gjë që quhet Plani Njëzet-Dhjetë, dhe u larguan nga centrali me deklaratën kolektive se nuk do të riktheheshin pa iu plotësuar kërkesat. Këtyre grevistëve iu bashkuan edhe punëtorët me kontratë të Cisternave Sferike Petrokimike në Bushehr. Ata i dorëzuan veglat në magazinë dhe mbyllën llogaritë. Operativët zyrtarë të naftës në kompaninë e terminalit të naftës në zonën Khark dolën gjithashtu në grevë, duke refuzuar t’i prisnin apo ankoronin anijet që do të ngarkoheshin me naftë krudo. Edhe punëtorët e platformës së gazit SPD17B filluan një grevë për të mbështetur punëtorët e terminalit të naftës në Khark.

Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), i ka përshëndetur grevistët e industrisë së naftës, dhe u ka bërë thirrje të gjithë punëtorëve e të rinjve që t’i mbështesin ata, duke thënë se për sa kohë që regjimi çnjerëzor dhe anti-punëtor i mullahëve të jetë në pushtet, varfëria, inflacioni dhe papunësia do të rriten. Vazhdimi i protestave, kryengritjeve, dhe grevave të shtresave të ndryshme tregon vendosmërinë e popullit iranian për ta përmbysur regjimin klerikal dhe për të themeluar lirinë dhe drejtësinë në atdheun tonë të pushtuar.