Stafi mjekësor i Spitalit të Karaj-it proteston në 2021-in, kundër mospagesës së rrogave dhe sjelljeve të padrejta.
Të dielën, mediat shtetërore publikuan raporte ku thuhej se Udhëheqësi Suprem i regjimit iranian, Ali Khamenei, ishte takuar me disa infermierë dhe me familjarë të profesionistëve mjekësorë që kanë vdekur për shkak të pandemisë së Covid-19.
Në vend që të ofronte zgjidhje për të adresuar kushtet e rënda të infermierëve dhe përkeqësimin e krizës së Covid-19 në vend, Khamenei foli për “armikun” që përpiqet të “ndryshojë vendin e shtypësit me atë të të shtypurit”.
Komentet e paturpshme të Khamenei-t vijnë në një kohë kur numri i vdekjeve për shkak të koronavirusit ka shkuar mbi 488,100. Populli iranian, veçanërisht infermierët, fajësojnë Khamenei-n për numrin e madh të vdekjeve për shkak të urdhrit të tij për të ndaluar importimin e vaksinave amerikane dhe europiane.
Qindra infermierë iranianë kanë vdekur për shkak të Covid-19. Dhjetëra prej tyre kanë kryer vetëvrasje për shkak të kushteve të këqija të punës dhe shumë prej tyre janë larguar nga vendi. Këto fakte janë konfirmuar nga shumë zyrtarë iranianë.
“Fatkeqësisht, me 130 vdekje infermierësh që përkujdeseshin për të sëmurët me COVID-19, ne jemi ndër vendet me numrin më të madh të infektimeve dhe vdekjeve mes infermierëve”, tha kreu i Organizatës së Infermierëve të Iranit, Mohammad Mirza Beigi, në prill 2021.
“Në vitin 2020, të paktën 1250 infermierë aplikuan për emigracion. Edhe pse sipas llogaritjeve, shifra reale duhet të jetë 1.5 ose 2 herë më e madhe. Le të marrim një mesatare prej 1500 njerëzish. Mund të themi se kjo është e barabartë me 30 shkolla infermierie që trajnojnë burime njerëzore, dhe kjo është një thirrje zgjimi për sistemin shëndetësor”, tha më 10 dhjetor Abbas Ebadi, zëvendësministër i Infermierisë në Ministrinë e Shëndetësisë.
“Kemi 100,000 infermierë të papunësuar në vend, në një kohë që mungesa e infermierëve në spitalet e vendit është shumë e dukshme dhe për fat të keq, askush nuk vepron për të rekrutuar infermierë”, tha Mohammad Sharifi Moghadam më 5 dhjetor.
Propaganda më e fundit nga Khamenei tregon qartë frikën e tij nga populli iranian. Greva më e fundit e mësuesve iranianë dhe protestat e vazhdueshme në Iran nga njerëz të të gjitha sferave të jetës janë shenja të një shoqërie të trazuar. Khamenei përpiqet ta largojë nga vetja fajin për katastrofën e Covid-19 në Iran, e cila ka shkaktuar mbi 488,100 vdekje dhe një urrejtje edhe më të madhe publike ndaj regjimit, duke derdhur lot krokodili për njerëzit.