Wednesday, February 1, 2023

Situata e të Drejtave Njerëzore në Iran Gjatë 2021-it Vetëm sa Është Përkeqësuar

Teksa bota kremtonte Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut të premten e kaluar, vëmendja ndërkombëtare u kthye te situata e të drejtave të njeriut në Iran. Për katër dekadat e fundit, nën sundimin e regjimit, Irani ka vuajtur nga dhunime kronike të të drejtave të njeriut, dhe me caktimin e Ebrahim Raisi-t si president i ri nga Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei, kjo tendencë nuk jep asnjë shenjë ndryshimi.

Khamenei gjithashtu pati dorë në emërimin e një numri zyrtarësh në administratën e Raisit. Aktualisht, Ebrahim Raisi, Gholam-Hossein Mohseni Ejei dhe Mohammad Baqer Qalibaf janë krerët e tre pushteteve të regjimit, dhe të tre këta persona kanë bërë shkelje serioze të të drejtave të njeriut në mbarë Iranin, duke përfshirë pjesëmarrjen në krime kundër njerëzimit.

Monitoruesi i të Drejtave të Njeriut në Iran (Iran HRM) tha: “Emërimi i tyre në poste kryesuese në qeveri demonstron “formacionin e ri të regjimit për luftë dhe represion”, dhe nxjerr gjithashtu në pah një vendosmëri për ta intensifikuar atmosferën e terrorit dhe shtypjes ndaj çdo forme të disidencës.”

Vendimi i Khameneit për t’i emëruar këta persona erdhi për shkak të roleve të tyre të mëparshme brenda gjyqësorit dhe forcave të sigurimit të regjimit, dhe përvojave të tyre në krijimin e terrorit për të shtypur shoqërinë.

Irani ka parë protesta të shumta që kur mullahët dhe regjimi i tyre erdhën në pushtet në vitin 1979, por ato janë rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit, për shkak të zemërimit të popullit nga korrupsioni dhe krimet e mullahëve, që e kanë sjellë shoqërinë deri në në pikën e vlimit.

Irani HRM tha: “Aktualisht, iranianët janë të privuar nga nevojat bazë të jetës, si uji, buka dhe energjia elektrike. Në të njëjtën kohë, ata po përballen me pandeminë e Covid-19 dhe frikën për vdekjen e të dashurve të tyre.”

Prirja e regjimit për t’i goditur rëndë protestat paqësore u përshkallëzua javët e fundit kur forcat e sigurisë dhe rojet anti-rebelim sulmuan një demonstratë në Isfahan, të zhvilluar nga fermerë që po protestonin kundër mungesës së ujit në rajon. Rreth 100 protestues u plagosën si rezultat i një sulmi me fishekë manovër, rreth 40 nga të cilët u verbuan nga goditjet direkte në sy. Rreth 300 protestues të tjerë u arrestuan.

Gjithashtu këtë vit u dëshmua edhe abuzimi sistematik i të drejtave të të burgosurve. Në gusht, një video që përmbante pamje të hakuara nga burgu Evin nxori në dritë kushtet e rënda brenda burgut dhe mënyrën sesi të burgosurit keqtrajtoheshin dhe rriheshin nga oficerët dhe rojet e burgut.

Zbulimi më tronditës i këtij viti ishte rritja e mprehtë e numrit të të burgosurve iranianë të ekzekutuar në krahasim me vitin e kaluar.

Iran HRM zbuloi se vitin e kaluar kanë ndodhur të paktën 255 ekzekutime, ndërsa deri më 10 dhjetor, vetëm këtë vit në Iran janë ekzekutuar 330 të burgosur. Megjithatë, shifra e vërtetë besohet të jetë më e lartë pasi shumë dënime me vdekje kryhen në fshehtësi nga regjimi.

Iran HRM tha, “Ekzekutimi është një dënim çnjerëzor dhe një krim nën çfarëdo preteksti. Regjimi që sundon Iranin ka më shumë se 40 vjet që e kryen këtë krim dhe e justifikon ligjërisht. Irani ka shkallën më të lartë të ekzekutimit per capita në botë”.

Iran HRM tha: “Të paktën 107 persona u plagosën për shkak të të shtënave mbi turmë nga forcat e sigurisë. Numri i viktimave të të shtënave pa dallim dhe vrasjeve arbitrare është më i lartë pasi fati i tyre mbetet i panjohur dhe historitë e tyre nuk publikohen”.