Friday, January 27, 2023

Iran: Përzgjedhja e Ebrahim Raisi-t Nënkupton Shtim të Terrorizmit dhe Shtypjes

Lideri Suprem i regjimit iranian Ali Khamenei ka përzgjedhur Ebrahim Raisi-n si president të ri të regjimit për arsye se regjimi po përballet me shoqërinë e trazuar të Iranit e cila është e vendosur ta rrëzojë diktaturën me çdo kusht.

Populli iranian ka treguar dëshirën e tij për ndryshim regjimi në kryengritje të shumta. Kryengritja e fundit ishte në nëntor 2019, në të cilën Khamenei i dha urdhër Gardës Revolucionare (IRGC) t’i masakronte protestuesit. Në mes të dhjetorit, Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI/MEK) pati zbuluar se IRGC kishte vrarë mbi 1,500 protestues gjatë kryengritjes së nëntorit. Në dhjetor 2019, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), zonja Maryam Rajavi, pati deklaruar: “numri i dëshmorëve e kalon pa dyshim shifrën 1,500. Sigurisht, numri i vërtetë është shumë më i lartë. Kjo do të thotë që regjimi ka vrarë të paktën 60 herë më shumë njerëz sesa numri i të vrarëve gjatë kryengritjes së dhjetorit 2017-janarit 2018. Një numër shumë më i madh janë plagosur me thika, sëpata, dhe saçma, mes të tjerash.”

Ebrahim Raisi është një nga personat kryesorë përgjegjës për masakrën e 30,000 të burgosurve politikë në verën e 1988-ës, shumica anëtarë e mbështetës të PMOI/MEK.

Caktimi si president i ekzekutuesit të masakrës së 1988-ës, Ebrahim Raisi, jep dy mesazhe: Së pari, ia ka vënë kapakun idesë së “reformizmit”. Së dyti, rezistenca e organizuar e popullit iranian është alternativa ndaj regjimit.

Caktimi i Raisi-t …. është një deklaratë e hapur dhe shumë më e fuqishme lufte kundër popullit të Iranit nga grabitësi i madh i sovranitetit të tij,” tha Maryam Rajavi në fjalimin e saj me rastin e 20 qershorit, 40-vjetorit të fillimit të rezistencës kundër regjimit iranian.

“Që më 20 qershor 1981, ka patur vetëm dy kampe kryesore kundërshtare në Iran: Nga njëra anë kampi i rezistencës së popullit për liri, dhe nga ana tjetër, kampi i fashizmit fetar, reaksionit, dhe diktaturës që përpiqet të ruajë në pushtet një regjim vrasës. Tani, në 40-vjetorin e Rezistencës, regjimi po mbytet në një vorbull përmbysjeje, aq sa ka vendosur ta lidhë fatin e tij me një vrasës të lig të masave, emri dhe identiteti i të cilit simbolizon fundin e regjimit,” shtoi ajo.

Ebrahim Raisi u përfshi në hierarkinë e regjimit në 1979-ën pasi mullahët kishin marrë pushtetin në Iran. Ai ishte 19 vjeç kur u bë gjykatës, dhe ka luajtur një rol kyç në vrasjen dhe shtypjen e PMOI/MEK e grupeve të tjera opozitare.