Sunday, January 29, 2023

Iran: Parlamenti Europian Bën Thirrje për Etiketimin e IRGC-së si Organizatë Terroriste

Iran EU Parliament min

Me një veprim të paprecedent më 18 janar, Parlamenti Evropian miratoi një amendament që i kërkon Bashkimit Evropian ta listojë Gardën Revolucionare (IRGC) në listën e organizatave terroriste. Ky vendim vjen pasi kryëngritja mbarëkombëtare e popullit iranian ka hyrë në muajin e pestë të saj, me njerëzit që shprehen kundër regjimit në tërësi dhe bëjnë thirrje për krijimin e një shteti demokratik.

Ky amendament u miratua me një shumicë dërrmuese votash pro si pjesë e një rezolute sigurie të ofruar nga disa eurodeputetë të grupit të Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë.

Amendamenti “Dënon shtypjen brutale nga Irani, përfshirë Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), të demonstratave që pasuan vdekjen e Mahsa Aminit, pas arrestimit të dhunshëm të saj, abuzimit dhe keqtrajtimit nga ‘policia e moralit’ e Iranit; i bën thirrje BE-së dhe shteteve anëtare që ta përfshijnë IRGC-në në listën e tyre të organizatave terroriste duke marrë parasysh aktivitetin e saj terrorist, represionin ndaj protestuesve dhe furnizimin e Rusisë me dronë.

Ahmad Vahidi, Ministri i Brendshëm i regjimit iranian, shprehu zemërimin dhe dëshpërimin e regjimit duke u shprehur kundër asaj që ai e konsideronte “dobësi politike dhe morale” të Parlamentit të BE-së.

“Nuk ka nevojë të shqetësohemi për etiketimin e IRGC-së si organizatë terroriste nga Parlamenti Evropian. Kjo organizatë vazhdon t’i kryejë fuqishëm detyrat e saj,” tha ai për agjencinë shtetërore të lajmeve Tasnim, një media e lidhur me Forcat Quds të IRGC.

Vlen të përmendet se në një debat mbrëmjen e të martës mbi një rezolutë të veçantë në solidaritet me kryengritjen e Iranit dhe që bën thirrje për listimin e IRGC-së si organizatë terroriste, eurodeputetë nga vija të ndryshme politike i kërkuan Bashkimit Europian ta vendosë IRGC-në në listën e zezë dhe të ndërpresë të gjitha lidhjet me teokracinë në pushtet.

Grupi ndërparlamentar Miqtë e Iranit të Lirë lëshoi një deklaratë përpara debatit të së martës, duke theksuar se “bashkëpunimi dhe negociatat me regjimin iranian nuk mund të justifikohen me asnjë pretekst. Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare duhet ta fusin Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike në listën e zezë si një entitet terrorist për rolin që ka kryer në shtypjen e popullit të Iranit dhe aktivitetet terroriste, duhet të tërheqin ambasadorët e tyre nga Irani dhe të mbyllin ambasadat e regjimit në vendet e BE-së, duke dëbuar diplomatët dhe agjentët e Teheranit.”

Të martën, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se ajo e mbështet etiketimin e IRGC-së si një entitet terrorist si përgjigje ndaj “shkeljes” së “të drejtave themelore të njeriut” në Iran.

“Reagimi i regjimit të Iranit është mizor dhe i tmerrshëm, dhe ata po shkelin të drejtat themelore të njeriut”, tha ajo në Forumin Ekonomik Botëror 2023 në Davos.

Trimëria e popullit iranian gjatë protestave të vazhdueshme e ka mobilizuar me të vërtetë të gjithë botën në favor të asaj që shumë e konsiderojnë si revolucion në zhvillim e sipër të Iranit.