Sunday, January 29, 2023

Incidentet Detare Krijojnë Tensione të Reja Ndërkohë që Presidenti i Ri i Iranit Merr Detyrën

 

Të martën, Lideri Suprem iranian Ali Khamenei e miratoi zyrtarisht Ebrahim Raisi-n si presidentin e ri të vendit, para inaugurimit të tij të enjten. Ceremonia u zhvillua mes shqetësimeve në rritje për përshkallëzimin e tensioneve midis Republikës Islamike dhe aleatëve të saj rajonalë e perëndimorë. Edhe pse ky përshkallëzim ka të paktën dy vite që po ndodh, nën administratën e presidentit pragmatist Hassan Rouhani, pasuesi i tij është një konservator i betuar i cili pritet t’u japë disa poste të rëndësishme qeveritare anëtarëve të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, në mënyrë që të mund të ndjekë një politikë të jashtme agresive.

Rreziku i kësaj sjelljeje agresive u bë i qartë një javë përpara inaugurimit të Raisi-t, kur praktika e agresivitetit detar të Teheranit shkaktoi fatalitetet e saj të para. Të enjten e shkuar, një mjet ajror pa pilot sulmoi me eksploziv një cisternë nafte në Gjirin e Omanit, duke vrarë dy anëtarë ekuipazhi, njëri britanik e tjetri rumun. Kjo anije, me emrin Mercer Street, është në pronësi të një firme japoneze dhe lundron nën flamurin e Liberisë, por menaxhohet nga një kompani që i përket një bilioneri izraelit. Supozohet gjerësisht se ky ka qenë një faktor në shënjestrimin e anijes nga Republika Islamike. Departamenti amerikan i Shtetit dhe një numër institucionesh të tjera perëndimore kanë shprehur një shkallë të lartë sigurie që Irani është përgjegjës për këtë incident, në të cilin është përdorur një lloj arme që Irani po e përdor gjithnjë e më shpesh.

Provat në favor të përgjegjësisë së Teheranit u shtuan tej mase të martën, kur një tjetër anije-cisternë u ndalua pranë portit Fujairah Emirateve të Bashkuara Arabe, me sa duket nga IRGC. Zyrtarët iranianë kanë tentuar ta mohojnë që regjimi i tyre qëndron prapa këtyre dy incidenteve, por këto mohime duken veçanërisht të palogjikshme nën dritën e faktit që ekuipazhi i anije-cisternës MV Asphalt Princess ishte urdhëruar specifikisht të lundronte drejt një porti të Iranit dhe të ndalohej atje. Anija u lirua të nesërmen pa ndonjë incident tjetër të raportuar, por kjo kapje ka shumë mundësi që t’ia ketë arritur qëllimit për t’i bërë komunitetit ndërkombëtar një paralajmërim për dëme më të mëdha dhe ndoshta fatalitete më të shumta në të ardhmen, gjatë epokës së Raisi-t.