Shkruar nga Shahriar Kia
Ndërkohë që numri i vdekjeve nga COVID-19 vazhdon të rritet me shpejtësi në Iran, zyrtarët e regjimit iranian po detyrohen t’i pranojnë disa dimensione të kësaj krize.
Agjencia shtetërore e lajmeve ISNA citoi të dielën Mohammad Kakavand-in, kryetarin e Rrjetit të Shëndetit dhe Trajtimit në Borujerd, duke thënë: “Llogaritjet tona në terren tregojnë se 20 përqind e popullsisë në Borujerd (në Iranin perëndimor) janë infektuar me COVID-19. Për pak kohë, mbi 50 përqind e popullit iranian do të infektohen me këtë virus. Nga ky numër, tre deri në katër përqind do të vdesin, që do të thotë më shumë se një apo dy milion iranianë.”
Ndërkohë, Behrooz Koleidari, Zëvendës Rektor për Trajtimin në Universitetin e Shkencave Mjekësore në Isfahan, tha të shtunën: “Rreth dy javë më parë kishim 320 pacientë të shtruar në qendra të ndryshme mjekësore. Mëngjesin e sotëm, ky numër ka arritur në 567, dhe nga këta 567 pacientë, rreth 136 janë në terapi intensive. Gjithashtu, 74 nga këta pacientë janë nën frymëmarrje artificiale për të vazhduar së qeni gjallë.”
Zyrtarët e regjimit iranian nisën një fushatë keqinformimi dhe fshehjeje faktesh lidhur me COVID-19 që në ditët e para të kësaj krize. Presidenti i regjimit, Hassan Rouhani, ka qenë në avangardë të kësaj fushate. Tani, numri në rritje i viktimave të koronavirusit e ka detyruar Rouhani-n ta pranojë seriozitetin e krizës. Rouhani tha të dielën: “Kanë kaluar rreth gjashtë muaj që kur filloi kjo sëmundje; nuk ka vaksinë; mund të vazhdojë edhe për tre deri në 12 muaj të tjerë; prandaj duhet të përgatitemi për të ardhmen.”
Regjimi i mullahëve nisi ta fshihte realitetin dhe ta zbuste seriozitetin e krizës së COVID-19. Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI/MEK) shpalli të dielën se numri i vdekjeve nga koronavirusi e ka tejkaluar shifrën 62,000. Rritja e numrit të vdekjeve nga COVID-19 është rezultat i drejtpërdrejtë i politikave mospërfillëse dhe qëllimisht dëmtuese të regjimit iranian. Regjimi e mohoi ekzistencën e virusit për javë të tëra në mënyrë që të kishte një pjesëmarrje më të madhe në zgjedhjet e rreme parlamentare të shkurtit. Zbulimet e MEK dhe presioni ndërkombëtar e detyruan regjimin ta pranonte ekzistencën e virusit. Atëherë, regjimi i mullahëve nisi ta zbuste seriozitetin e krizës. Regjimi deklaroi një karantinim kombëtar por e anulloi shpejt atë dhe i detyroi njerëzit t’i riktheheshin punës. Rritja e numrit të vdekjeve nga COVID-19 është rezultat i drejtpërdrejtë i planeve të regjimit për të rifilluar veprimtaritë ekonomike dhe shoqërore edhe pse kishte rritje në numrin e rasteve.
Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), tha lidhur me këtë çështje se: “Tendenca në rritje e koronavirusit në mbarë vendin është rezultat i drejtpërdrejtë i politikave kriminale dhe çnjerëzore të regjimit klerikal. Khamenei dhe Rouhani janë të parët zyrtarë përgjegjës për humbjen e jetës së bashkatdhetarëve tanë në një shkallë kaq të lartë.”
Znj. Rajavi përsëriti gjithashtu se: “Në vend që ta ndihmonin popullin e Iranit, dhe t’i mbyllnin përkohësisht bizneset jo të domosdoshme, mullahët i dërguan në punë punëtorët, e megjithatë pretendojnë se njerëzit kanë zbatuar më pak se 9 përqind të të gjitha protokolleve të higjienës.”
Tani, teksa numri i vdekjeve nga koronavirusi vazhdon të rritet në Iran, komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë menjëherë dhe ta ndihmojë në mënyrë të pavarur popullin iranian. Sepse, siç ka thënë Znj. Rajavi, “Regjimi çnjerëzor i mullahëve është përgjegjës për valën e re të shpërthimit të sëmundjes dhe rritjen e numrit të viktimave në Iran. Mullahët nuk mendojnë për gjë tjetër përveçse si të vazhdojnë të plaçkisin e ta ruajnë pushtetin e tyre të turpshëm.”