Të burgosurve politikë Mohammad Banazadeh Amirkhizi dhe Payam Shakiba, që mbahen në burgun Evin, u është mohuar trajtimi mjekësor pavarësisht faktit që kanë shfaqur simptoma të COVID-19.
Këta të burgosur politikë kanë shfaqur temperaturë, dhimbje koke, përgjumje, humbjen e nuhatjes dhe shijes që pothuajse një javë më parë.
Krahas moshës së tij, 65-vjeçari Banazadeh Amirkhizi ka edhe probleme të rënda mjekësore, duke përfshirë infarktin, gjë që e vë në rrezik të madh për sëmundje të rëndë apo vdekje nëse infektohet me COVID-19.
I burgosuri tjetër, Payam Shakiba, vuan nga migrena, gjë që ia ka rënduar simptomat.
Ka patur shumë raporte që flasin për mbipopullim dhe kushte jo-higjienike dhe jo-sanitare brenda burgut Evin, kushte të cilat i vënë të burgosurit në rrezik edhe më të madh për t’u infektuar me COVID-19.
Të burgosurve nuk u janë ofruar sapunë të mjaftueshëm apo produkte të tjera sanitare. Maskat shiten me një çmim shumë të lartë në dyqanin e burgut dhe shumë të burgosur nuk janë në gjendje t’i blejnë.
Gjithashtu, të burgosurve politikë u është mohuar sistematikisht trajtimi i duhur mjekësor, gjë që i bën ata edhe më të dobët ndaj rrezikut të infektimit me Koronavirus.
Mohammad Banazadeh Amirkhizi dhe Payam Shakiba, së bashku me një tjetër të burgosur politik, Majid Asadi, janë transferuar nga burgu Rajai Shahr në Pavijonin 209 të burgut Evin, që drejtohet nga Ministria e Inteligjencës e Iranit, më 22 gusht, për t’u marrë në pyetje lidhur me një çështje të re të hapur kundër tyre gjatë periudhës së burgimit.