Kreu i seksionit të terapisë intensive në spitalin Imam Reza të Mashhad në Iranin veri-lindor tha dje se ka mundësi që të shtohen vetëvrasjet e punonjësve iranianë të shëndetësisë dhe se gjendja e tyre mendore po përkeqësohet.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve ISNA, Dr. Alireza Sedaghat ka thënë se rënia e moralit tek punonjësit e shëndetësisë mund të jetë edhe më e keqe sesa infektimi me virusin vdekjeprurës të COVID-19.
“Gjendja mendore e punonjësve të shëndetësisë mund të çojë në sëmundje të rënda psikologjike. Tendenca e tyre për vetëvrasje është rritur dhe ata e kanë humbur shpresën për jetën, gjë që është shumë shqetësuese,” tha kreu i seksionit të terapisë intensive në një bisedë me audio në Clubhouse.
Dr. Sedaghat tha se, të qenit dëshmitar të vdekjes së shumë pacientëve ka qenë e rëndë për punonjësit e shëndetësisë. Ai shtoi se në Iran, shumë njerëz kanë simptoma post-COVID të cilat janë kryesisht probleme mendore pasi shumë familje po vuajnë nga humbja e njerëzve të dashur.
Dje, Ministria e Shëndetësisë në Iran e deklaroi numrin e vdekjeve si 655, shifër që përbën një rekord të ri që nga fillimi i pandemisë.
Në një raport të publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve ISNA dje, shfaqeshin radhë të gjata me turma njerëzish për cilindra oksigjeni në Mashhad të Iranit veri-lindor. Iranianët blinin cilindra oksigjeni 10-litersh që funksionojnë për pesë orë, për 3 milion toman ($111).
Në spitalet e tejmbushura në mbarë Iranin shfaqen pacientë të shtrirë jashtë spitaleve ose në sallat e pritjes.