7 maj 2020
Regjimi i Iranit Arreston Studentë Elitarë në Mesin e Krizës së Koronavirusit
Pasi e kishte mbajtur të fshehtë për pothuajse një muaj, Drejtësia e regjimit iranian shpalli të martën se ka arrestuar dy studentë elitarë. Drejtësia shpalli se këta studentë, Amir Hossain Moradi dhe Ali Younesi, kanë qenë në kontakt me Rezistencën Iraniane. Zëdhënësi Gholam-Hossain Esmaili tha se këta studentë ishin marrë me “veprime devijante” dhe po “përpiqeshin të kryenin operacione sabotazhi.” “Në shtëpitë e tyre janë gjetur pajisje shpërthyese që përdoren në operacione sabotazhi,” tha ai.
Amir Hossein Moradi është zhdukur më 10 prill, ndërsa Ali Younesi-n e kthyen në shtëpi mbrëmjen e po asaj dite, me plagë e shenja torture. Ali ka fituar medaljen e artë në Olimpiadën e 12-të Ndërkombëtare të Astronomisë dhe Astrofizikës, të zhvilluar në Kinë në 2018-ën. Më përpara, ai kishte fituar medaljen e argjendtë dhe të artë në Olimpiadën Kombëtare të Astronomisë në 2016-ën dhe 2017-ën. Edhe Amir Hossein ka fituar medaljen e argjendtë në olimpiadë në vitin 2017.
Opozita Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI ose MEK) ka shpallur gjithashtu emrat e 18 njerëzve të tjerë që janë arrestuar në fshehtësi nga regjimi kohët e fundit. Regjimi u detyrua ta pranonte arrestimin e të gjithë këtyre të burgosurve, veçanërisht të Aliut dhe Amir Hossain, për shkak të presionit ndërkombëtar dhe protestave të studentëve në Universitetin Sharif, ku studionin Ali dhe Amir Hossain.
Lidhur me këtë, Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), ka theksuar se të arrestuarit i nënshtrohen torturës dhe përballen me rrezikun e ekzekutimit, si dhe janë në rrezik ekspozimi ndaj koronavirusit. Ajo nxiti përsëri Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Komisioneren e Lartë për të Drejtat e Njeriut, Këshillin e të Drejtave të Njeriut, si dhe organizatat ndërkombëtare të të drejtave njerëzore që të marrin masa urgjente për të siguruar lirimin e të arrestuarve dhe për të dërguar misione ndërkombëtare që të vizitojnë burgjet e regjimit e të takohen me këta të burgosur.