Saturday, July 27, 2024

Ndryshe nga Vendet e Tjera, Regjimi Iranian Vazhdon ta Privojë Popullin nga Vaksinimi, duke Ndjekur Politikën e Tij Çnjerëzore për sa i Përket COVID-19

 

Pandemia e koronavirusit është një krizë globale. Për këtë arsye, qeveritë po bëjnë përpjekje të shumta për të siguruar vaksina të besueshme dhe për të kryer vaksinimin e publikut. Por në Iran, nën regjimin e mullahëve, ndodh ndryshe.

Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI/MEK) shpalli të premten se mbi 203,800 njerëz kanë humbur jetën në mbarë Iranin për shkak të koronavirusit të ri. E megjithatë, regjimi në Teheran vazhdon me hilet e tij për sa i përket vaksinimit.

I tronditur nga dy protesta madhore në më pak se një vit, regjimi iranian e përqafoi hyrjen e Covid-19 në Iran. Autoritetet filluan të ndiqnin një politikë kriminale për sa i përket koronavirusit, për të vënë nën kontroll shoqërinë e trazuar duke përdorur viktimat në masë nga Covid-19.

Për shkak të kërkesës në rritje të publikut për vaksina, autoritetet nisën një fushatë mashtruese vaksinimi, në përputhje me politikën kriminale lidhur me koronavirusin, pas pothuajse një viti fshehje faktesh e mosveprimi që ka rezultuar në mbi 200,000 viktima nga Covid-19.

Presidenti i regjimit, Hassan Rouhani, dhe ministrat e tij janë përpjekur të fajësojnë sanksionet ndërkombëtare për faktin që nuk kanë siguruar vaksina. Kur ky pretendim i rremë u hodh poshtë nga COVAX, organizatë që ndihmon në shpërndarjen e vaksinave, zyrtarët e Iranit nisën të luanin me jetët e njerëzve duke premtuar se do t’i importonin së shpejti vaksinat.

Më 8 janar, Lideri Suprem i regjimit Ali Khamenei zbuloi se regjimi nuk kishte aspak ndërmend të siguronte vaksina, duke ndaluar hyrjen e vaksinave të besueshme.

“Importimi i vaksinave amerikane e britanike në vend është i ndaluar. U kam thënë edhe autoriteteve. Nëse Pfizer është në gjendje të prodhojë një vaksinë, pse do të na e japë neve? Ata kanë viktima në masë për vete,” tha Khamenei.