Thursday, March 28, 2024

MEK: Regjimi i Iranit Shkatërron Varret e Viktimave të Masakrës së 1988-ës

 

Një varr masiv i anëtarëve të MEK në Ahvaz të Iranit jug-perëndimor

Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI/MEK) raportoi të premten se regjimi i mullahëve ka shkatërruar një varr masiv në Ahvaz të Iranit jug-perëndimor, ku kanë qenë të varrosura shumë viktima të masakrës së 1988-ës. Regjimi ka për qëllim ta fshehë krimin e tij kundër njerëzimit dhe bota duhet ta parandalojë këtë.

Raportet tregojnë se regjimi iranian ka nisur të ndërtojë një bulevard në këtë zonë. Ky bulevard, i cili lidh Rrugën Besharat me Bulevardin Beheshtabad dhe lagjen Mahdis, do të shkaktojë shkatërrimin e varrit masiv të viktimave të masakrës së 1988-ës midis Mahdis dhe Fazës 5 të Padadshahr.

Teksa çështja e masakrës së 1988-ës ndaj më shumë se 30,000 të burgosurve politikë vazhdon të tërheqë vëmendjen në nivel ndërkombëtar, regjimi iranian ka në plan ta fshehë atë që shumë ekspertë e përshkruajnë si “krimi më i rëndë kundër të burgosurve politikë që nga Lufta e Dytë Botërore.”

Rrjeti i MEK brenda Iranit, pas një hetimi tre-ditor, ka krijuar një video dokumentar për këtë varr masiv, i cili njihet edhe si ‘Khavaran i Ahvaz-it.’ Mbështetësit e MEK e kishin kontrolluar zonën disa herë me një makinë. Një shofer kamioni në zonë u kishte treguar për varrin masiv të dëshmorëve të 1988-ës, shumica anëtarë të MEK.

“Khavaran” janë emrat e zonave në Iran ku janë varrosur viktimat e regjimit iranian, veçanërisht ata që kanë humbur jetën në masakrën e 1988-ës. Këto zona kanë shumë të përbashkëta, duke përfshirë shkretimin, mungesën e emrave dhe simboleve, mungesën e gurëve të varreve dhe monumenteve të varrimit, dhe në disa raste, ekzistencën e varreve masive në to.

Në një raport të publikuar më 1 qershor 2017, Amnesty International pati paralajmëruar për shkatërrimin e një varri masiv të viktimave të 1988-ës në Ahvaz. “Përdhosja e një zone varresh masive në Ahvaz të Iranit jugor ku ndodhen mbetjet e të paktën 44 njerëzve të ekzekutuar në mënyrë jashtëgjyqësore do të shkatërronte prova thelbësore mjeko-ligjore dhe do të prishte mundësitë për drejtësi për vrasjet në masë të të burgosurve që u kryen në mbarë vendin në vitin 1988,” lexonte raporti.

Raporti i ri i marrë nga MEK tregon edhe një herë se regjimi iranian ka ndërmend t’i shkatërrojë të gjitha provat e krimit të tij më të urryer. Komuniteti ndërkombëtar duhet të fillojë një hetim të pavarur mbi masakrën e 1988-ës dhe t’u kërkojë llogari autorëve të këtij krimi.

Heshtja e komunitetit ndërkombëtar lidhur me masakrën e 1988-ës e ka trimëruar regjimin për të vazhduar me shkeljet e të drejtave njerëzore. Kryegjyqtari aktual i Iranit Ebrahim Raisi dhe Ministri i Drejtësisë Alireza Avaei kanë qenë të dy anëtarë të të ashtu-quajturave “Komisione të Vdekjes” të cilat kryenin ekzekutimet.