
Rastet e reja të infektimeve me Koronavirus në 24 orët e fundit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të regjimit iranian, janë 3111, ndërsa numri i vdekjeve është shpallur si 141. Ndërkohë, Rouhani i përshkruan këto shifra të reja si inkurajuese duke thënë, “Numri i njerëzve të shtruar në spitale ka rënë dhe situata në 23 provinca është e mirë, dhe kushtet janë të pranueshme.”
Mbrëmë në televizionin kombëtar të regjimit u transmetua një takim mes Rouhani-t dhe një grupi mjekësh, ku njëri prej tyre reagoi ndaj komentit të Rouhani-t se e gjithë bota është kapur në befasi, duke thënë, “Unë kërkoj që të flitet me prova. Nuk mund ta drejtojmë vendin me hamendje e supozime. Si lektor universiteti, them se nuk i kemi përdorur shumë potenciale të vendit. Z. President, e gjithë bota është kapur në befasi, por ne jemi kapur në befasi me duart e lidhura.” Një mjek tjetër i tha Rouhani-t, “Në shumë pjesë të vendit, duke përfshirë Teheranin, nuk e kemi arritur akoma kulmin. Është e domosdoshme që të mbajmë një gjendje izolimi dhe karantine për tre-katër javë. Virusi SARS pati disa kulme; kështu që ky virus mund të qëndrojë për një apo dy vite.”
Znj. Maryam Rajavi tha se regjimi klerikal nuk ka patur asnjë pengesë apo ndalim për blerjen apo importimin e ilaçeve e pajisjeve mjekësore, por në vend që të shqetësohen për jetët e njerëzve, ata shqetësohen vetëm për sanksionet e vëna mbi paratë e tyre.
Rezistenca iraniane ka këmbëngulur për shumë vite se dhënia e ushqimeve dhe ilaçeve, dhe dhënia e pagave të vonuara të infermierëve, punëtorëve, dhe mësuesve duhet të mbikëqyret dhe kontrollohet nga Kombet e Bashkuara sepse Khamenei do t’i përdorte këto para në Irak, Siri, Jemen, dhe Liban për ambiciet e tij terroriste e reaksionare, dhe mbi të gjitha, për të mbushur xhepat e Gardës Revolucionare të regjimit.
Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI)
31 mars 2020





