Iran: Numri i Vdekjeve nga Koronavirusi në 294 Qytete Shkon në mbi 33,400

500

Iran: Coronavirus patients in a hospital in Tehran21 prill 2020

Iran: Pacientët me koronavirus në një spital në Teheran

Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI / MEK) shpalli të martën, më 21 prill 2020, se numri i vdekjeve nga Koronavirusi në 294 qytete të Iranit e ka tejkaluar shifrën 33,400.

Për ta fshehur numrin e vërtetë të viktimave, regjimi klerikal nuk është duke e publikuar numrin e vdekjeve veçmas për çdo provincë, duke nxitur kështu inatin e Këshillit të Qytetit të Teheranit. Një nga anëtarët e Këshillit, Nahid Khodakarami, tha për agjencinë zyrtare të lajmeve të IRGC-së, Fars: “Trafiku në Teheran është rritur shumë dhe mund të përballemi sërish me një tjetër kulm të përhapjes së koronavirusit në maj 2020. Vazhdojmë të këmbëngulim që statistikat e Teheranit, si kryeqytet, duhet të publikohen veçmas. Kemi nevojë t’i dimë statistikat e rasteve të reja të infektimeve, vdekjeve, si dhe atyre në gjendje kritike. Në mënyrë që të planifikojë dhe të kuptojë cilat janë prioritetet e saj për javën apo muajin e ardhshëm, dhe se ku duhet të fokusohet, administrata e qytetit duhet ta njohë më mirë lëvizjen e virusit në Teheran?”

Zëvendës Ministri i Shëndetit Iraj Haririchi tha për agjencinë e lajmeve Tasnim: “Në të gjithë botën, madje edhe në vendet që duket se janë të pastra nga ky virus, është shumë e mundur që të ndodhin kulme të dyta, të treta apo edhe më shumë të kësaj sëmundjeje; nëse e kemi kaluar tashmë një shpërthim të rëndë në Qom dhe Gilan, nuk do të thotë se çështja mbaroi vetëm pse epidemia ka nisur rënien. Nuk duhet të ndihemi të lehtësuar për faktin se në provincën Mazandaran, ku ka patur një kulm të përhapjes në një kohë të caktuar, kemi hyrë tani në fazën e menaxhimit të sëmundjes.”

Po shtohen gjithnjë e më shumë shqetësimet për pasojat e krizës së koronavirusit dhe për nevojën për të ndarë asete nga fondacionet e kontrolluara prej Khamenei-t për t’i menaxhuar këto pasoja. E përditshmja shtetërore Setareh Sobh shkruan: “Vendim-marrësit e ekonomisë duhet të mendojnë për inflacionin 40 përqind të vendit, i cili mund të rritet pas krizës (së koronavirusit) … duket se përqindja shqetësuese e inflacionit në vend është edhe më e rrezikshme sesa koronavirusi.”

Ish i ngarkuari me punë i regjimit në Angli, Seyed Jalal Sadatian, i cili ka qenë edhe deputet në parlament, tha për të përditshmen shtetërore Arman: “Jo vetëm qeveria por edhe pjesë të tjera të sistemit, si Astan-e Quds Razavi dhe Fondacioni Mostazafan, Qendra për Ekzekutimin e Urdhrit të Imam Khomeini-t, dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, duhet t’i vijnë në ndihmë kombit dhe të sjellin burimet e tyre.”