28 Mars 2020
Iran: Kryengritje në burgun e Hamedan
Të shtunën më 28 mars 2020, të burgosurit e burgut Alvand në Hamedan protestuan kundër refuzimit nga regjimi për t’i liruar, në situatën e përhapjes së Koronavirusit, dhe disa prej tyre mundën të arratiseshin. IRGC dhe rojat e burgut hapën zjarr mbi të burgosurit. Disa pjesë të burgut morën flakë gjatë përplasjeve mes forcave represive dhe të burgosurve.
Dje, pas rebelimeve në burgjet e Khorramabad dhe Aligudarz, të burgosurit në burgun e Saqqez u revoltuan gjithashtu, dhe një numër i madh prej tyre ia dolën të arratiseshin. Situata e të burgosurve po përkeqësohet. Shumë prej tyre kanë vdekur nga Koronavirusi në Urmia, në Burgun e Teheranit të Madh (Fashafouyeh), dhe në Ghezel Hesar.
Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), ka paralajmëruar sërish për një katastrofë të madhe dhe një krim kundër njerëzimit në burgjet iraniane. Për të parandaluar një numër të madh vdekjesh, ajo bëri thirrje për aksion urgjent nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Këshilli i Sigurimit, Këshilli i të Drejtave Njerëzore, Komisionerja e Lartë për të Drejtat Njerëzore, dhe nga Bashkimi Europian që të marrin masa për të siguruar lirimin e të gjithë të burgosurve, sidomos të burgosurve politikë.
Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit
28 mars 2020