Ekzekutimet në Iran
Ndërkohë që në mbarë botën shënohet Dita Botërore Kundër Dënimit me Vdekje, Irani po përballet me një krizë të të drejtave njerëzore e cila ka nevojë për vëmendje ndërkombëtare.
Këtë vit, Ebrahim Raisi, një ekzekutues i masave, u caktua si presidenti i ri i regjimit. Raisi e ka marrë këtë post me një listë të gjatë dhunimesh të të drejtave njerëzore.
Ai ka qenë anëtar kyç i “komisionit të vdekjes,” një grup zyrtarësh të regjimit të cilët kanë dënuar mbi 30,000 të burgosur politikë me vdekje në verën e 1988-ës. Shumica e të burgosurve të ekzekutuar ishin anëtarë dhe mbështetës të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK) dhe janë ekzekutuar për shkak se kanë qenë kundër sundimit fondamentalist e tiranik të regjimit. Të burgosurit që kanë mbijetuar ose janë arratisur nga burgjet e Iranit kanë dhënë dëshmi tronditëse për rolin e Raisi-t në dënimin e disidentëve me varje. Në konferencën e tij të parë për shtyp si president i regjimit, Raisi i mbrojti veprimet e tij në ekzekutimin e të burgosurve politikë dhe e përshkroi veten si mbrojtës të të drejtave njerëzore.
Shumë juristë dhe ekspertë ligjorë e kanë përshkruar masakrën e 1988-ës ndaj të burgosurve politikë iranianë si krim kundër njerëzimit dhe gjenocid, dhe kanë bërë thirrje që një gjykatë ndërkombëtare t’i hetojë dhe t’i gjykojë autorët e këtij krimi, duke përfshirë Raisi-n dhe liderin suprem të regjimit Ali Khamenei.