Tuesday, January 31, 2023

Autoritetet e Iranit e kërcënojnë të burgosurin politik me vdekje nëse ai nuk pranon akuzat

 

political prisoner Vahid AfkariAutoritetet iraniane e kanë kërcënuar të burgosurin politik Vahid Afkari, vëllain e kampionit të ekzekutuar të mundjes Navid Afkari, se nëse nuk “rrëfen,” pra nëse nuk pranon akuzat, do ta vrasin.

Sipas raporteve, dy zyrtarë të lartë janë takuar me Vahid Afkari-n dhe i kanë thënë se ai duhet të bëjë çfarëdo që t’i kërkojnë, madje edhe të pranojë akuzën për vrasje, në mënyrë që ta lirojnë, përndryshe do të ekzekutohet.

Në një regjistrim audio të publikuar së fundmi nga brenda burgut, Vahid Afkari thotë: “Për të treguar se punojnë për sigurinë, ata arrestojnë njerëz të pafajshëm pa prova, dhe i hedhin në gjyq pa asnjë provë, i dënojnë e ua shkatërrojnë jetën. Madje edhe i ekzekutojnë. Si një njeri i shekullit të 21, me gjithë këto përparime në kulturë e qytetërim, nuk e di se si mund ta mbroj veten dhe si t’u them të tjerëve që të më ndihmojnë. Nuk kam mënyrë tjetër përveç logjikës dhe ligjit. Nuk kam mënyrë tjetër. Iranianë, jam i pafajshëm.”

Një burim ka thënë për VOA se rreth një muaj pas ekzekutimit të Navid-it, autoritetet e burgut i kanë thënë të burgosurit politik Vahid Afkari se dy zyrtarë të lartë donin të takoheshin me të. Burimi thotë se gjatë takimit, Vahid Afkari-t i është kërkuar të bëjë çfarëdo që t’i kërkojnë, duke përfshirë pranimin e një krimi apo vrasjeje, në mënyrë që të lirohet nga burgu pas një viti, dhe ata do t’i ofronin kushte jetese brenda apo jashtë vendit.