Thursday, March 28, 2024

Hacker-at e Regjimit Iranian Dyshohen për Ndërhyrje Kibernetike në Bahrein

Dyshohet se hacker-at iranianë kanë infiltruar infrastrukturën themelore dhe kompjuterët e qeverisë në Bahrain (vend i Gjirit Persik) gjatë muajit të shkuar, gjë që i ka shtuar frikërat e liderëve të rajonit se Teheran mund të jetë duke e rritur shkallën e sulmeve kibernetike të tij mes rritjes së tensioneve, raportoi Wall Street Journal të mërkurën.

Këto ndërhyrje, sipas njerëzve që kanë njohuri për to, e kanë kaluar nivelin normal të veprimtarive kibernetike të regjimit iranian në rajon.

Dy ish-zyrtarë amerikanë me njohuri për këtë çështje i kanë konfirmuar ndërhyrjet kibernetike në Bahrein, duke thënë se ato kanë ndodhur në të paktën tre entitete. Njëri nga ish-zyrtarët tha se këto ndërhyrje duken shumë të ngjashme me dy hack-ime në 2012-ën të cilat e çuan offline firmën RasGas të gazit natyror në Katar dhe fshinë të dhënat nga hard drive-et e kompjuterëve që i përkisnin kompanisë kombëtare të naftës Aramco në Arabinë Saudite, një sulm shkatërrimtar që përdori një virus të fuqishëm të njohur si Shamoon.

Autoritetet e Bahrein kanë marrë informata nga SHBA e nga të tjerë që tregojnë se prapa këtyre sulmeve ndodhet regjimi iranian, sipas njerëzve me njohuri për çështjen. Liderët rajonalë në Gjirin Persik—dhe zyrtarët e sigurisë në SHBA—besojnë se regjimi iranian i ka shtuar veprimtaritë e tij kibernetike keqdashëse që kur u rritën tensionet lidhur me një seri incidentesh në Lindjen e Mesme, thanë për Wall Street Journal njerëz që kanë njohuri për këto diskutime.

Nuk është përcaktuar se sa dëm kanë shkaktuar ndërhyrjet në Bahrein, dhe as nëse hacker-at janë përjashtuar nga rrjetet që kanë komprometuar.