Friday, December 2, 2022

Edhe Nxënësit e Gjimnazeve Arratisen nga Irani

Që nga revolucioni iranian në 1979, një nga gjërat më të këqija që ka ndodhur është përshpejtimi i shterimit të trurit. Çdo vit të ri, po lexojmë më shumë statistika shqetësuese në mediat shtetërore.

Kjo epokë e errët filloi pasi shumë nga intelektualët e vendit shprehën kundërshti ndaj represionit në rritje dhe rënies së kushteve të jetesës.

Si përgjigje, Khomeini tha: “Pse po bërtisni kaq shumë për arratisjen e elitave. Punë e madhe se po ikin. Ata që shkuan në universitete dhe flasin për shkencë e kulturë, le të ikin sepse universitetet janë rrënja e gjithë këtyre mjerimeve që i kanë ndodhur njerëzimit dhe goditjeve që i janë dhënë Islamit.”

Me këtë mentalitet, Khomeini dhe klerikët injorantë e shtynë Iranin drejt regresit dhe shkatërrimit.

Tashmë pas katër dekadash, ky zhvillim ogurzi jo vetëm që nuk ka marrë fund, por është rritur dita-ditës dhe Irani po humbet thesaret e tij më të vlefshme shoqërore.

Vitet e fundit kemi qenë dëshmitarë të humbjes së elitave në nivel universitar, por tani, për fat të keq, shterimi i trurit është përhapur edhe tek nxënësit e shkollave të mesme, të cilët po largohen në masë.

Arsyeja është sepse ata shohin se pothuajse të gjithë të diplomuarit janë të papunë, me probleme varësie dhe përballen me një të ardhme të errët. Prandaj, ata vendosin të largohen nga vendi, me gjithë vështirësitë dhe rreziqet, me shpresën e një jete më të mirë për të mos lejuar që aftësitë dhe talentet e tyre të shkojnë dëm në një vend që sundohet nga mullahët.

Në një të ardhme jo shumë të largët, Irani do të përballet me mungesë specialistësh në të gjitha fushat, si mjekë, infermierë, inxhinierë, artistë e të tjerë.

Sipas statistikave më të fundit nga Observatori Iranian i Imigracionit, rreth 25 për qind e të renditurve nën vendin e 1000-të në provimin kombëtar të pranimit, 25 për qind e Fondacionit të Elitave dhe 37 për qind e mbajtësve të medaljeve në olimpiadat studentore jetojnë jashtë Iranit.

Çdo vit, 150,000 deri në 180,000 specialistë të arsimuar largohen nga Irani dhe vendi renditet i pari në botë për sa i përket shterimit të trurit, një statistikë që është një tragjedi e dhimbshme për Iranin dhe iranianët. Aktualisht, ne jemi dëshmitarë të ikjes së një numri shumë të madh sportistësh iranianë të suksesshëm dhe fitues të medaljeve, që janë larguar nga Irani për të garuar si pjesë e ekipeve të vendeve të tjera dhe kanë vendosur të mos kthehen në ferrin e krijuar nga mullahët.

Largimi nga vendi mund të duket i vështirë në fillim, por në situatën aktuale në Iran, për të gjitha sferat e jetës, nuk ka zgjidhje tjetër veçse të migrojnë për t’u larguar nga të gjitha problemet me të cilat përballen. Jo të gjithë iranianët mund të jenë në gjendje të migrojnë, por për shkak të krizës në Iran, ata me siguri e ëndërrojnë këtë gjë.

Prandaj, nëse hija e regjimit klerikal vazhdon të sundojë mbi Iranin, do të shohim ditë pas dite rënien në ferr të të gjithë brezave të kaluar e të ardhshëm të Iranit.