Friday, March 29, 2024

Një Vështrim i Shkurtër mbi Mediat Shtetërore të Iranit: Shtohen Protestat Mes Krizave të Ndryshme

Ditët e fundit, mediat shtetërore të Iranit e kanë pohuar ekzistencën e krizave shoqërore të vendit dhe mundësinë e një kryengritjeje nga ana e publikut të irrituar. Mediat shtetërore kanë theksuar gjithashtu krizën aktuale të Covid-19 dhe politikën çnjerëzore të regjimit lidhur me koronavirusin.
“Nuk mund të themi që e gjithë popullsia ka marrë një dozë të vaksinës kundër Covid-19 dhe ka imunitet të përgjithshëm. Nuk mund të pretendojmë se 50% e popullsisë është vaksinuar. Disa [zyrtarë] me sa duket i përdorin këto fjalë për t’iu shmangur presionit të opinionit publik,” shkruante të dielën e përditshmja shtetërore Arman, duke refuzuar pretendimet e presidentit të ri të regjimit, Ebrahim Raisi, i cili flet për një vaksinim me ritme të shpejta.

“Linja e vaksinimit me Astrazeneka është bllokuar dhe shpërbërë në shumicën e qendrave të vaksinimit, dhe numri i vaksinave Barakat është i kufizuar. Disa nga njerëzit që kanë marrë dozën e parë tani janë konfuzë dhe nuk mund të marrin vaksinën kineze, dhe as ndonjë vaksinë tjetër. Vetëm vaksina kineze (Sinopharm) gjendet me shumicë në qendrat e vaksinimit. Duke qenë në këtë situatë, si mund të pretendojmë se jemi të parët apo të dytët në botë për sa i përket vaksinimit?” shton e përditshmja Arman.

Duke iu referuar vonesës së regjimit në vaksinim për të paktën 7 deri në 8 muaj, e përditshmja Arman shtron pyetjen, “kush e ka fajin?”
Lideri Suprem i regjimit, Ali Khamenei, e ka ndaluar hyrjen e vaksinave të besueshme kundër Covid-19, dhe zyrtarët e regjimit e kanë implementuar vendimin e tij përmes mashtrimeve e mosveprimit.
“Kjo është një kauzë kombëtare, dhe ka sjellë kaq shumë viktima. Janë bërë gjyqe për masakra shumë më të vogla sesa [katastrofa e Covid-19 në Iran]. Tregojuni të vërtetën njerëzve,” shton e përditshmja Arman.