Friday, March 29, 2024

Iran: Fjalimet e Rouhani-t dhe Khamenei-t me Rastin e Novruzit Dëshmojnë se Regjimi Ndodhet në një Rrugë pa Krye

E shtuna shënoi fillimin e Vitit të Ri pers 1400. Të gjendur përballë një shoqërie të trazuar dhe në izolim ndërkombëtar, zyrtarët e lartë të regjimit e kanë pranuar se janë në një rrugë pa krye. Komentet e presidentit dhe liderit suprem të regjimit dëshmuan gjithashtu për grindjet mes fraksioneve të tyre.

Presidenti Hassan Rouhani nënvizoi izolimin ndërkombëtar të regjimit dhe problemet ekonomike në fjalimin e tij me rastin e Novruzit. “[Viti pers] 1399 ishte viti më i keq [i regjimit] për shitjen e naftës në 60 vitet e fundit. Nuk më kujtohet një vit më i vështirë sesa 1399 për sa i përket problemeve ekonomike,” tha Rouhani.

Rouhani, si gjithmonë, u përpoq të fajësonte sanksionet si shkakun e situatës së rëndë ekonomike të Iranit. Por ky pretendim është refuzuar nga mediat shtetërore të regjimit shumë herë. “Shumë ekspertë besojnë se ekonomia e Iranit është e sëmurë. Por a janë shkaktuar vërtet nga sanksionet e huaja problemet ekonomike të vendit? Nëse i rishikojmë fjalët e ekspertëve, do të vijmë tek përgjigjja ‘jo’” shkruante e përditshmja shtetërore Arman të martën, në një artikull me titull “Populli paguan për mosveprimin e regjimit.”

Në një deklaratë kontradiktore, Rouhani pretendoi se gjoja ekonomia e Iranit nën qeverisjen e tij në 1399-ën ka patur një rritje pozitive 2.2, ndërkohë që më parë ishte ankuar për një situatë “të vështirë” ekonomike.

“Në një vit kur shumë nga ekonomitë më të fuqishme të botës kanë patur [rritje ekonomike] negative me 10%, [regjimi] ka regjistruar një rritje ekonomike pozitive me 2.2%,” pretendoi Rouhani.

“Radhat e gjata [për blerjen e nevojave bazë si mishi i pulës], rritja ekstreme e çmimeve dhe mungesat në artikujt ushqimorë në treg, si dhe rritjet me disa qindra përqind në çmimet e frutave janë vetëm disa nga problemet me të cilat u përballën familjet iraniane vitin e shkuar. Ndërkohë që po i afrohemi fundit të vitit [pers], treguesit e rëndësishëm ekonomikë si likuiditeti, inflacioni, dhe rritja ekonomike nuk shfaqin shifra premtuese. Pavarësisht rritjes pozitive ekonomike me 2.2%, inflacioni dhe likuiditeti, nga fundi i shkurtit të këtij viti, kanë qenë 34.2 përqind dhe 3300 mijë bilion toman, përkatësisht. Kjo mund të jetë një shenjë që paralajmëron rritjen e inflacionit vitin tjetër,” e përditshmja shtetërore Etemad të enjtën e kishte refuzuar këtë pretendim.