Foto fajli
Situata ekonomike e Iranit vazhdon të përkeqësohet ditë pas dite. Thellësinë e kësaj krize e tregojnë edhe raportet e manipuluara të mediave shtetërore të Iranit. Ata e pranojnë gjithashtu se presidenti i ri i regjimit, Ebrahim Raisi, dhe administrata e tij nuk do t’i zgjidhin këto probleme ekonomike.
“Fuqia blerëse e iranianëve ka rënë jashtëzakonisht, dhe ata mezi arrijnë t’i përballojnë edhe nevojat bazë të jetesës, ndërkohë që konsumi i artikujve të rëndësishëm ushqimorë si mishi, vezët, dhe prodhimet e bulmetit në tryezën iraniane ka rënë në mënyrë dramatike, me 50 përqind,” shkruante më 2 tetor e përditshmja shtetërore Jahan-e Sanat.
“Me fjalë të tjera, gjatë vitit të shkuar, konsumi i artikujve ushqimorë të importuar nga iranianët është ulur me 40 deri në 50 përqind, dhe kjo tregon se iranianët janë përgjithësisht më të varfër, dhe tryeza e tyre është edhe më bosh,” shton Jahan-e Sanat.
Sipas të përditshmes Kar-o Kargar më 3 tetor, “Çmimet tejet të larta dhe inflacioni në rritje i kanë rritur kostot e jetesës të njerëzve nga 40 milion toman në vit në 2018-ën në mbi 63 milion toman në 2021-in.”
Me fjalë të tjera, Iranianët mezi arrijnë të sigurojnë jetesën pavarësisht se jetojnë në një nga vendet më të pasura në botë për sa i përket burimeve natyrore.
Sipas të përditshmes shtetërore Hamdeli më 2 tetor, “siguria ushqimore e popullit iranian është në rrezik.”
E përditshmja shtetërore Mardom Salari, në një artikull më 2 tetor shtronte pyetjen “Pse nuk zgjidhen problemet tona urgjente ekonomike, dhe pse situata po përkeqësohet madje?”
Më pas artikulli pohon se në këtë regjim, “politika e brendshme dhe e jashtme nuk shërben për të zgjidhur problemet ekonomike. Nëse themi që ekonomia ka përparësi, i gjithë pushteti politik, si ai i brendshëm ashtu edhe ai i jashtëm, duhet t’i shërbejë ekonomisë, por kjo nuk ndodh.”
Ekonomia e Iranit vuan nga korrupsioni i institucionalizuar i regjimit dhe nga politikat e gabuara ekonomike.