Britania Nxjerr Jashtë Ligjit Hezbollahun Libanez

908

Britania e ka etiketuar në tërësi si terroriste organizatën Hezbollah të Libanit

Departamenti Britanik i Thesarit e ka deklaruar në tërësi grupin Hezbollah si një organizatë terroriste sipas rregullave të Terrorizmit dhe Financimit të Terrorizmit. Si rezultat, Departamenti i Thesarit i ka ngrirë asetet e Hezbollahut.

Kjo masë e Thesarit britanik për ta shtuar Hezbollahun e Libanit në regjistrin e ngrirjes së aseteve vjen pas vendimit të ministrisë së brendshme në mars 2019 për t’i trajtuar njësoj krahun politik dhe atë ushtarak të këtij grupi.

Ministria e kishte etiketuar më parë krahun ushtarak të kësaj organizate shiite, por tani e ka listuar të gjithë grupin si organizatë terroriste.

Hezbollah është themeluar nga Korpusi i Gardës Revolucionare (IRGC) të regjimit iranian në vitin 1982, dhe ka luajtur një rol kyç në kryerjen e veprimtarive terroriste për regjimin në rajon.

Hezbollah ishte nën komandën e Qassem Soleimani-t, si komandant i forcave Quds të IRGC-së.

Gjatë luftës kriminale në Siri, Qassem Soleimani ka përdorur mercenarë të Hezbollahut për të luftuar kundër rebelëve sirianë. Sipas raporteve, të paktën 2,000 luftëtarë të Hezbollah janë dërguar në Siri, nën komandën e forcave Quds, si pjesë e forcave që shpëtuan diktaturën e Assad-it në pushtet me përdorimin e taktikave brutale, duke shkatërruar qytete e fshatra e duke masakruar qytetarët.

Hezbollah i mbështet hapur militantët Houthi dhe lideri i tij, Hassan Nasrallah, ka shkuar deri aty sa të thoshte: “Më vjen turp që nuk jam mes jush.”

Sipas Ëashington Post, luftëtarët e Hezbollah janë përballur me probleme financiare si rezultat i sanksioneve amerikane, dhe për shkak të reduktimit të rrogave, shumë prej tyre janë detyruar të tërhiqen nga Siria ku “kanë luajtur një rol thelbësor në luftimin në anën e Presidentit Bashar al-Assad dhe në sigurimin e mbijetesës së tij.”