Thursday, March 28, 2024

Bota Duhet të Qëndrojë Përkrah Popullit Iranian

E marta, 5 qershor, shënoi të pesëmbëdhjetën ditë rresht të grevës mbarëkombëtare të shoferëve të kamionëve në Iran, me pjesëmarrjen e dhjetra mijëra shoferëve të automjeteve të rënda në gati 300 qytete në mbarë vendin.

Videot dhe fotot e grevës, të cilat po qarkullojnë gjerësisht në mediat sociale, tregojnë se protesta – si pjesë e kryengritjes së popullit – është jashtëzakonisht e gjerë dhe shumë e organizuar. Kjo nënkupton probleme të mëdha për Regjimin, pasi është shumë më e lehtë të shtypet një protestë e lokalizuar pa shumë strukturë organizative.

Ndërsa grevat vazhdojnë, shoferët e kamionëve nga e gjithë bota po shprehin solidaritetin e tyre me grevistët iranianë, përmes mesazheve në media sociale dhe në letra drejtuar zyrtarëve të qeverisë. Kjo gjë është një qëndrim jo vetëm në favor të popullit iranian, por edhe kundër Regjimit të korruptuar.

James Hoffa, Presidenti i Përgjithshëm i Teamsters – një nga unionet më të mëdha të punëtorëve në SHBA – i dërgoi një letër Abolfazl Mehrabadit, zëvendës drejtorit të degës së interesit të regjimit iranian në Ambasadën Pakistaneze në Uashington, DC, ku shprehte mbështetje për grevistët iranianë.

Ai shkruante: “Shoferët iranianë të kamionëve në 25 provinca dhe 160 qytete kanë dalë në grevë kundër pagesës së ulët, kostove të rritura operative, rritjes së taksave dhe tarifave të tjera rregullatore. Teamsters qëndrojnë në solidaritet me motrat dhe vëllezërit tanë iranianë!… Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Iranit të dëgjojnë ankesat e shoferëve grevistë të kamionëve, t’i adresojnë kërkesat e tyre të drejta dhe të njohin të drejtat e tyre të njohura ndërkombëtarisht për kuvend, fjalë të lirë, liri të shoqërimit dhe marrëveshjes kolektive.”

Pse janë në grevë ata?

Ka shumë arsye pse shoferët janë në grevë, duke përfshirë rritjen e kostove të taksave rrugore, siguracionit, mirëmbajtjes së kamionëve, masat represive kundër shoferëve nga forcat shtypëse të Iranit, si dhe rrogat/pensionet e ulëta apo të papaguara, por të gjitha këto e kanë bazën në një regjim të korruptuar që nuk ndihmon popullin e vet.

Aktivisti i të drejtave të njeriut Heshmat Alavi ka shkruar: “Irani është shtëpia e gati 370,000 kamionëve që shpërndajnë mallra në mbarë vendin. Një numër gjithnjë e më i madh shoferësh po kuptojnë se i kanë toleruar kushtet e tyre të padrejta për një kohë shumë të gjatë dhe tani është koha të ngrihen në këmbë, duke e ditur se zërat e tyre dëgjohen nga komuniteti ndërkombëtar.”

Tani, më shumë njerëz po i bashkohen grevave, duke përfshirë shoferët e taksive dhe fermerët e pulave, dhe teksa grevat përshkallëzohen, po bëhet gjithnjë e më e vështirë për Regjimin që t’i shtypë ato. Populli iranian po bashkohet për të luftuar Regjimin dhe forca e këtij populli rritet gjithnjë e më shumë, sa më shumë video shpërndahen në mediat sociale.

Për më tepër, grevistët nuk po dorëzohen dhe po i refuzojnë premtimet e rreme të bëra nga zyrtarët iranianë. Kjo është shqetësuese për Regjimin dhe komentet nga zyrtarët tregojnë se Regjimi po e ndjen lodhjen.
Është e rëndësishme që qeveritë në botë të ngrihen gjithashtu bashkë me popullin iranian dhe kryengritjen e tij.