Amplifikimi i Zërave Iranianë: Thirrja për Liri dhe Demokraci në Mes të Trazirave Politike

348

Në një shkrim të detajuar për “Star and Stripes”, Profesor Ivan Sascha Sheehan, dekan i asociuar i Kolegjit të Marrëdhënieve Publike, analizon trazirat e vazhdueshme politike në Iran, me fokus në protestat e fundit antiqeveritare që kamë shpërthyer në të gjithë vendin. Pavarësisht shtypjes brutale nga regjimi, kërkesa e palëkundur e iranianëve për liri civile dhe politike nuk është ulur. Prof. Sheehan shqyrton figurat e ndryshme politike që konkurojnë për pushtet dhe paraqet një argument bindës kundër rikthimit të diktaturës Pahlavi. Në vend të kësaj, Sheehan mbron planin prej 10 pikash të paraqitur nga zonja Maryam Rajavi, i cili promovon zgjedhje të lira e të ndershme dhe ndarjen e fesë nga shteti. Ndërsa debati për të ardhmen e Iranit intensifikohet, autori na kujton se është thelbësore që të amplifikohen zërat e iranianëve që luftojnë për liri dhe demokraci, jo të atyre që kërkojnë një rikthim në një të kaluar represive.

Artikulli i Prof. Sheehan vijon si më poshtë:

Republika Islamike e Iranit ka paraqitur një sfidë të madhe për politikëbërësit perëndimorë që nga themelimi i teokracisë nga Ayatollah Ruhollah Khomeini 44 vjet më parë. Por kërkimi pa kompromis nga iranianët i lirive civile dhe politike më në fund mund të japë rezultat.

Megjithëse raundi i fundit i protestave anti-qeveritare u nxit nga vrasja e një gruaje 22-vjeçare kurdo-iraniane, Mahsa Amini, nga e ashtuquajtura “policia e moralit” për mbajtjen jo të duhur të shamisë në shtator 2022, kryengritja u përhap shpejt me iranianët që dolën në rrugë për të marrë pjesë në një rebelim mbarëkombëtar dhe këmbëngulën për heqjen e regjimit klerikal në tërësi.

Sipas grupit kryesor të opozitës pro-demokratike, Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK), mbi 750 njerëz janë vrarë gjatë shtatë muajve të fundit në shtypjen më të fundit nga regjimi dhe 30,000 të tjerë janë arrestuar. Edhe pse disa media raportojnë vlerësime më të ulëta të të dyja shifrave, autoritetet në Teheran pretenduan në mars se kishin dhënë amnisti për 22,000 persona të arrestuar gjatë kryengritjes kundër regjimit, duke konfirmuar kështu llogaritë e MEK.

Ndërsa ajatollahët dhe njësitë e tyre të dezinformimit përpiqen të paraqesin një imazh normaliteti, iranianët e zakonshëm vazhdojnë me zemërimin dhe mosbindjen e tyre. Situata ekonomike dhe sociale e vendit është përkeqësuar gjatë gjashtë muajve të fundit dhe indikacionet tregojnë se trazirat mund të rishfaqen në çdo moment. Komunitetit ndërkombëtar nuk i leverdis të mos i kuptojë ndjenjat politike që nxisin etjen e njerëzve për ndryshim të regjimit.

Ndërsa Perëndimi përshtatet me realitetet e reja në Iran, çështja se çfarë mban e ardhmja është bërë gjithnjë e më e ndërlikuar. Kjo është veçanërisht e vërtetë me figurat margjinale dhe lojtarët e vegjël që kanë qenë kryesisht të parëndësishëm për vite të tëra, duke e vendosur veten mes kundërshtarëve të besueshëm të regjimit. Kryesori në mesin e tyre është Reza Pahlavi, djali i Shahut që u rrëzua në vitin 1979 dhe që vdiq dy vjet më vonë.

Edhe pse është e vërtetë që Irani gjatë epokës së Shahut ishte shumë i ndryshëm nga Irani sot, do të ishte gabim të konkludohej se ishte një epokë më humane apo tolerante, apo një epokë në të cilën iranianët dëshirojnë të kthehen. Revolucioni i vitit 1979 ishte një revoltë e vërtetë popullore e motivuar nga vite të tëra indinjate të akumuluar për korrupsionin dhe represionin e Shahut. Shumica e atyre që ishin gjallë në atë kohë – duke përfshirë shumë që morën pjesë në përmbysjen e Shahut – nuk mund të kishin parashikuar që largimi i tij do të rezultonte në një sundim teokratik për gati gjysmë shekulli nga mullahët të cilët u bënë dhe vetë të përçmuar.

Por sundimi luksoz dhe brutal i Shahut nuk është harruar.

Pak më shumë se një vit para revolucionit, The Village Voice vuri re se tortura nga policia sekrete e Shahut ishte një “argëtim kombëtar” në Iran. Shahu zgjeronte pasurinë e dinastisë Pahlavi “thjesht duke e vjedhur atë” nga nënshtetasit e tij. Një pjesë e madhe e kësaj pasurie përfundoi jashtë vendit kur ai u arratis nga froni dhe do të ishte e përshtatshme të pyesim nëse ajo po përdoret për të financuar udhëtimet e djalit të tij dhe për advokimin e rivendosjes së dinastisë së familjes së tij sot. Në vitin 1981, Reza Pahlavi u zotua ta arrinte këtë qëllim përpara varrit të babait të tij.

Në të vërtetë, Pahlavi nuk ka treguar asnjë tendencë për të hequr dorë nga përfitimet e tij të paligjshme apo për të dhënë llogari në mënyrë transparente për shkallën e keqbërjeve financiare të babait të tij. Ai kurrë nuk ka pranuar asnjë nga krimet e kryera nga policia sekrete famëkeqe e Shahut, SAVAK, aq më pak ta mohojë atë, ndërsa e ka pozicionuar veten si një pretendent legjitim për të udhëhequr vendin pas revolucionit të ardhshëm. Mbrojtja e tij e vazhdueshme e këtyre padrejtësive, së bashku me një vizion regresiv që bie në kontrast të thellë me objektivat demokratike të përqafuara nga opozitarët parimorë që kanë luftuar kundër regjimit për katër dekada, do të thotë se udhëheqësit perëndimorë nuk mund ta marrin për seriozisht atë.

Maryam Rajavi, presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, e cila humbi një motër nga Shahu dhe një tjetër nga ajatollahët, ka paraqitur një plan prej 10 pikash për të ardhmen e Iranit në mungesë të mullahëve. Ky plan advokon për zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndarjen e fesë nga shteti dhe garancitë ligjore për të drejtat e grave dhe pakicave, dhe tashmë është miratuar nga një numër politikanësh të shquar perëndimorë në të dy anët e Atlantikut, duke përfshirë një shumicë dypartiake të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA në mars.

Siç dëshmohet nga klipet e mediave sociale dhe rrëfimet e dëshmitarëve okularë, banorët e pothuajse çdo qyteti dhe qyteze të madhe kanë thirrur “vdekje tiranit, qoftë Shahu apo Udhëheqësi Suprem”, për ta bërë të qartë se ata e refuzojnë diktaturën në të gjitha format e saj dhe do të pranojnë vetëm ecjen përpara drejt demokracisë për vendin e tyre.

Në mes të një diskutimi gjithnjë e më urgjent për të ardhmen e Iranit, politikëbërësit dhe gazetarët duhet të vendosin se zërat e kujt të amplifikojnë dhe zërat e kujt të shpërfillin. Iranianët që luftojnë për liri e kanë bërë tashmë këtë zgjedhje dhe e kanë bërë të qartë se ata aspirojnë demokracinë, jo kthimin te Shahu.

Ivan Sascha Sheehan është dekan i asociuar i Kolegjit të Marrëdhënieve Publike dhe ish drejtor ekzekutiv i Shkollës së Marrëdhënieve Publike dhe Ndërkombëtare në Universitetin e Baltimores. Mendimet e shprehura janë të tijat.