Iran, 25 prill 2020—Një numër i madh fermerësh nga e gjithë provinca e Isfahanit në Iranin qendror zhvilluan një tubim në qytetin Isfahan jashtë Departamentit të Ujit për të protestuar kundër marrjes së ujit në mënyrë të paligjshme nga lumi Zayandeh Rud nga disa industri të lidhura me regjimin.
Këta fermerë, të cilët u grumbulluan të shtunën më 25 prill, protestojnë gjithashtu kundër implementimit të projekteve të paligjshme dhe faktit që zyrtarët e regjimit ua kanë hequr autoritetin organizatave lokale të fermerëve mbi mënyrën se si duhen shpërndarë ujërat e lumit Zayandeh Rud.
Protestuesit mbanin në duar letra ku lexoheshin kërkesat e tyre specifike:
“Do t’i marrim të drejtat tona të ujit, edhe nëse rrezikojmë jetën”
“Për ne fermerët, mungesa e ujit në stinën e verës, mos pasja e produkteve dhe tharja e pemëve janë të barasvlefshme me koronavirusin e ri.”
“E duam lumin Zayandeh Rud të gjallë”
“Pse vetëm ujërat e mbetura u shpërndahen fermerëve, ndërkohë që të tjerët e marrin pjesën e tyre me rrjete tubacionesh?”
“Qeveria ka dhënë urdhër për një fond për kompensimin e fermerëve që kanë pësuar dëme. Pse nuk është krijuar një fond i tillë?”
“Këshilli i Qytetit ka dhënë urdhër për firmosjen e një kontrate me Organizatën e Fermerëve për ta ndrequr lumin. Pse pengohet marrja e këtyre masave?”
“Nëse sipas ligjeve të shpërndarjes së ujit, Ministria e Energjisë nuk ka të drejtë t’u kërkojë para fermerëve, atëherë pse po e bën këtë?”
“Z. Habibi, kryegjyqtari lokal, a nuk keni thënë ju se nuk duhet të zhvillojmë protesta por të bëjmë denoncime për të marrë pjesën që na takon nga uji i lumit? Çfarë ka ndodhur? Ku është Zayandeh Rud-i im?”