H.Res.752 Kongresi Amerikan në mbështetje të protestave të Iranit
Të martën, ligjvënës nga të dyja partitë prezantuan një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, rezolutë që mbështet protestat mbarëkombëtare në Iran dhe nxit Administratën Amerikane që të punojë për organizimin e seancave të emergjencës në Këshillin e Sigurisë të OKB-së dhe në Këshillin e të Drejtave Njerëzore për ta dënuar shtypjen vrastare ndaj protestuesve nga regjimi.
Rezoluta 752 e Dhomës, “Mbështesim të drejtat e popullit të Iranit për liri shprehjeje, dënojmë regjimin iranian për shtypjen e tij ndaj protestave legjitime, dhe për qëllime të tjera,” u prezantua nga Rep. Theodore E. Deutch (D-FL) dhe Rep. Joe Ëilson (R-SC).
Kjo rezolutë vë në dukje se, më 15 nëntor 2019 nisën protestat popullore kundër regjimit iranian dhe u përhapën me shpejtësi në mbarë vendin.
Protestat e Iranit filluan si përgjigje ndaj një rritjeje të palajmëruar të çmimit të lëndës djegëse dhe protestuesit kanë shprehur ankesa të shumta ekonomike, thotë teksti.
Teksti vë në dukje se forcat e sigurisë së regjimit iranian kanë përdorur forcë letale në arrestimin e mbi 7,000 njerëzve dhe kanë vrarë qindra protestues.
“Raportet tregojnë se autoritetet e Qeverisë Iraniane, në shumë raste, kanë refuzuar t’ua kthejnë familjeve trupat e viktimave dhe se forcat e sigurisë i kanë hequr trupat nga morgjet për t’i çuar në vende të panjohura,” thotë teksti.
“Më 16 nëntor 2019, autoritetet iraniane filluan të implementonin një bllokim pothuajse total të shërbimeve të internetit, duke i privuar njerëzit brenda Iranit nga pothuajse të gjitha mënyrat e komunikimit online, për të mos lejuar shpërndarjen e fotove dhe videove të dhunës vdekjeprurëse që po përdorej nga forcat e sigurisë.”
“Më 18 nëntor 2019, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike i Iranit u dërgua në qytetin Mahshahr ku u angazhua në represion masiv, duke vrarë, sipas raporteve, deri në 100 njerëz.”
Drafti vë në dukje më tej se “regjimi iranian ka qenë i përfshirë në një komplot terrorist të qershorit 2018 kundër një takimi të aktivistëve të opozitës iraniane në Paris.”
“Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike i Iranit dhe militantët e tij Basij janë sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për planifikim dhe realizim të abuzimeve të rënda të të drejtave njerëzore kundër popullit iranian, duke përfshirë torturimin mizor e të zgjatur të disidentëve politikë.”
“Regjimi i ka shkelur rregullisht të drejtat njerëzore të qytetarëve iranianë, si duke implementuar kufizime të vazhduara, sistematike dhe të rënda mbi lirinë e mbledhjes dhe shoqërimit paqësor dhe lirinë e opinionit e shprehjes, duke përfshirë mbylljet e vazhdueshme të outlet-eve mediatike, arrestimet e gazetarëve, dhe censurën ndaj të shprehurit në forume online si blogje apo faqe interneti.”
Teksti thotë se më 18 nëntor 2019, Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo pati deklaruar se, “Shtetet e Bashkuara po i monitorojnë me vëmendje protestat që vazhdojnë në Iran. E dënojmë fort çdo akt dhune të kryer nga ky regjim kundër popullit iranian dhe jemi thellësisht të shqetësuar nga raportet që tregojnë për disa fatalitete … Republika Islamike duhet ta ndalë dhunën kundër popullit të vet dhe duhet ta rikthejë menjëherë për të gjithë iranianët mundësinë për të aksesuar një internet të lirë e të hapur.”
Ligjvënësit shtuan se regjimi iranian ka një histori të gjatë represioni të dhunshëm ndaj disidentëve, duke përfshirë
“Në 1988-ën, regjimi iranian kreu ekzekutimet barbare masive të mijëra të burgosurve politikë me varje ose skuadër pushkatimi, për faktin se kishin refuzuar t’i braktisnin përkatësitë e tyre politike, dhe në disa raste, për posedimin e teksteve politike, duke përfshirë të burgosur të ndërgjegjes, adoleshentë, dhe gra shtatzëna.”
“Duke nisur nga dhjetori i 2017-ës, e duke vazhduar për disa muaj pas shpërthimit të protestave në mbi 80 qytete, regjimi iranian i ka shtypur këto protesta me forcë represive që ka rezultuar në të paktën 25 vdekje dhe 4,000 arrestime.”
Teksti shton se më 9 janar 2018, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi me shumicë dërrmuese H. Res. 676, një rezolutë që mbështeste të drejtat e popullit të Iranit për liri shprehjeje dhe që dënonte regjimin iranian për shtypjen e tij ndaj protestave legjitime.