Friday, March 29, 2024

Kongresi Amerikan Diskuton Draftin në Mbështetje të Protestave në Iran

Kongresi po e rrit presionin mbi regjimin iranian mes trazirave që vazhdojnë në mbarë vendin

Zyrtarët e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) kanë mirëpritur një draft-rezolutë të re të Kongresit Amerikan, e cila mbështet protestat e Iranit, por thonë se duhet bërë më shumë për t’i bërë presion regjimit që ta ndalë masakrën ndaj protestuesve, raportoi të enjten The Washinton Times. 

Kongresi po e rrit presionin mbi regjimin iranian mes trazirave që vazhdojnë në mbarë vendin, të cilat ua kanë marrë jetën mbi 1000 protestuesve dhe nuk duket se do të pushojnë së shpejti. 

Ligjvënësit në Capitol Hill këtë javë prezantuan projektligjin e parë zyrtarë që shpreh mbështetje të drejtpërdrejtë për demonstratat që kanë tronditur Teheranin, dhe që dënon përgjigjen e dhunshme të qeverisë, raporton The Washington Times

“Me këtë rezolutë, Kongresi i dërgon popullit të Iranit mesazhin e fortë dypartiak se i mbështesim aspiratat e tij demokratike dhe do të bëjmë gjithçka mundemi për t’i kërkuar llogari këtij regjimi për shkeljet e tij të qëllimshme të të drejtave njerëzore,” tha Rep. Joe Wilson, republikan nga South Carolina dhe bashkë-sponsorizues i draftit, sipas The Washington Times. 

“Regjimi iranian ka një reputacion famëkeq për abuzime tepër të rënda të të drejtave njerëzore kundër popullit të vet, si duke censuruar internetin, duke kufizuar lirinë fetare dhe pjesëmarrjen politike, duke burgosur gazetarët, e duke torturuar disidentët politikë,” tha Rep. Ted Deutch, Demokrat nga Florida dhe gjithashtu bashkë-sponsorizues i  rezolutës, shkruan The Washington Times. 

Kjo shfaqje mbështetjeje vjen ndërkohë që Departamenti amerikan i Shtetit ka shpallur sanksione të mëtejshme mbi disa entitete iraniane të transportit detar e ajror të cilat, sipas SHBA-së, kanë ndihmuar në programet bërthamore të Iranit. 

Veprimet e SHBA-së për të ushtruar presion mbi regjimin e Iranit dhe për të mbështetur protestuesit janë mirëpritur nga kritikët iraniano-amerikanë të regjimit, shumë prej të cilëve u mblodhën në Capitol Hill mbasditen e së mërkurës për të dëgjuar ligjvënësit që kanë mbështetur demonstruesit.

Alireza Jafarzadeh, zëvendës-drejtori i zyrës në Uashington të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, tha për The Washington Times në një event të organizuar në Dhomën e Përfaqësuesve nga Organizata e Komuniteteve Iraniano-Amerikane se, ndonëse ky draft është një “hap i parë shumë i mirë,” ai nuk jep mbështetjen e prekshme nga qeveria amerikane për ta trajtuar krizën brenda Iranit. 

“Kemi një rrugë të gjatë për të bërë,” tha para turmës Rep. John Garamendi, Demokrat nga Kalifornia. “Por bashkohem me ju në pritshmërinë për një të ardhme ku në Iran të ketë demokraci dhe të drejta njerëzore. Ju bashkohem në mendimin që kjo gjë duhet të ndodhë në të ardhmen e afërt, jo në mijëvjeçarin tjetër.”