20 dhjetor 2019-Deklaratë për Shtyp: Parlamentarët Europianë Mbështesin Protestat e Iranit
Shkruar nga Shkrimtar i Stafit më 22 dhjetor 2019.
Mbi 200 ligjvënës europianë kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët në mbështetje të protestave të fundit pro-demokracisë në Iran dhe në miratim të thirrjes së udhëheqëses së opozitës iraniane Maryam Rajavi drejtuar Kombeve të Bashkuara për të hetuar shtypjen vrastare të regjimit ndaj protestuesve të paarmatosur.
Të premten, më 20 dhjetor 2019, katër ligjvënës britanikë shpallën në një njoftim për shtyp: “Mbi dyqind Anëtarë të Parlamentit nga 14 shtete europiane kanë nënshkruar një deklaratë që shpreh mbështetje për protestat anti-qeveritare të miliona iranianëve në 191 qytete të Iranit, protesta që bëjnë thirrje për demokraci dhe të drejta njerëzore.”
Nënshkruesit përfshijnë 50 Anëtarë të Parlamentit nga Italia, 50 Anëtarë të Parlamentit nga Zvicra, 20 Anëtarë të Parlamentit nga Portugalia dhe 30 Anëtarë të Dhomës britanike të Komunave dhe të Dhomës britanike të Lordëve, Parlamentarë nga Franca, Irlanda, Polonia, Rumania, Lituania, Malta, Shqipëria, dhe San Marino, si dhe parlamentarë nga përtej Europës në Marok e Jordani.
Deklarata mbështetet gjithashtu nga disa personalitete të spikatura politike që përfshijnë ish Ministrin e Jashtëm kanadez John Baird, ish Ministrin e Jashtëm italian Giulio Terzi, ish Ministren e Arsimit dhe Rinisë të Marokut, Najima Thay Thay, dhe ish-ministrat e Jordanisë, Saleh al-Ghalab dhe Bassam Alamoush.
Parlamentarët, të cilët përfaqësojnë tendenca të ndryshme politike në Europë, dënuan represionin ndaj protestave të Iranit nën urdhrat e Ali Khamenei, Liderit Suprem, dhe theksuan, “në videot e tmerrshme shfaqen forcat e sigurisë së shtetit dhe anëtarët e gardës revolucionare duke qëlluar me armë nga tarracat ose nga afër ndaj demonstruesve të paarmatosur. Në shumë raste, regjimi ka marrë masa për ta shtypur popullsinë me helikopterë dhe tanke.”
“Përbën shqetësim serioz fakti që zyrtarët e lartë të qeverisë kanë bërë thirrje për ekzekutimin e të arrestuarve. Presidenti Hassan Rouhani e ka mbështetur shtypjen e demonstratave dhe këshilltari i tij ka kërcënuar MEK-ët, të cilët liderët e regjimit i kanë përshkruar si shkaku kryesor i kryengritjes, me vrasje, si në masakrën e 1988-ës, gjatë së cilës regjimi iranian ekzekutoi rreth 30,000 të burgosur politikë.”
“Nënshkruesit e deklaratës i bëjnë thirrje Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Europian, dhe Shteteve Anëtare që ta dënojnë shtypjen e protestuesve, të marrin masa urgjente për ta ndaluar masakrën dhe për të liruar të arrestuarit, si dhe për t’i lejuar popullit iranian akses të lirë në Internet.”
“Ata mbështesin gjithashtu thirrjen e znj. Maryam Rajavi, Presidentes së NCRI-së drejtuar Kombeve të Bashkuara për të dërguar një mision hetimor të gjetjes së fakteve i cili të vizitojë të arrestuarit e kryengritjes në Iran, dhe thirrjen ndaj Këshillit të Sigurisë për të hetuar krimet kundër njerëzimit në Iran dhe për t’u kërkuar llogari zyrtarëve iranianë për krimet e tyre në mënyrë që ata të përballen me drejtësinë,” shton deklarata për shtyp.