
Nepotizmi ka qenë i shfrenuar mes presidentëve iranianë. Ish-presidenti i Iranit, i ndjeri Hashemi Rafsanjani emëroi vëllain e tij, Mohammad Hashemi, si zëvendëspresident për çështjet ekzekutive. Në mënyrë të ngjashme, Mohammad Khatami emëroi vëllanë e tij, Ali Khatami, si shef të shtabit të tij. Mahmoud Ahmadinejad emëroi vëllain e tij, Davoud Ahmadinexhad, në krye të zyrës së inspektimit të presidentit.
E njëjta tendencë mund të vërehet tek zyrtarët e rangut të mesëm në nivel provincial në vend. Si shembull, guvernatori i provincës Sistan dhe Baluchistan, në Iranin juglindor, ka emëruar nipin e tij si guvernator të Zahedanit, qendrës së provincës.
Pas fitores së Mohammad Khatami në 1997-ën, vëllai i tij, Mohammad Reza Khatami, i cili ishte një person i panjohur, mori numrin më të lartë të votave në Teheran në zgjedhjet parlamentare të vitit 2000 dhe përfundimisht u bë nënkryetar i parlamentit.
Jo shumë muaj më parë, degët legjislative dhe gjyqësore të Iranit drejtoheshin nga dy vëllezër, Ali Larijani dhe Sadeq Larijani. Vëllai i tyre i tretë, Javad Larijani, është kryetar i Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Iranit. Vëllai i tyre i katërt, Bagher Larijani, ka qenë zëvendësministër i Shëndetësisë.
Më 15 korrik 2017, zyrtarët gjyqësorë iranianë arrestuan Hassan Fereidoun, vëllain e ish-presidentit të Iranit, njëherazi këshilltar i tij special. Ai u përball me akuza për parregullsi financiare. Më pas raportohet se ai, për shkak të gjendjes shëndetësore, u dërgua në spital, nga ku u lirua. I gjithë episodi zgjati vetëm 24 orë.
Vështirë se mund të gjesh një zyrtar të lartë në Republikën Islamike, anëtarët e ngushtë të familjes së të cilit nuk mbajnë poste të larta.
Kohët e fundit, kryebashkiaku i Teheranit, Alireza Zakani, emëroi dhëndrin e tij Hossein Heidari si këshilltarin e tij të posaçëm për menaxhimin urban. Kur protestat u përshkallëzuan në shtyp dhe në televizionin shtetëror dhe tërhoqën vëmendjen e të gjithëve me një përzierje batutash dhe sarkazmash, kryebashkiaku Alireza Zakani tha se dhëndri i tij Hossein Haidari do të punonte pa pagesë. Për shkak të zemërimit dhe kritikave publike, Zakani u detyrua ta pushonte nga puna punonjësin e tij.
Në një intervistë me agjencinë shtetërore të lajmeve ILNA, Zahra Nejad Bahram, një aktiviste e ashtuquajtur “e moderuar”, tha: “Emërimi i dhëndurëve dhe nuseve nuk është gjë e mirë për qeverinë. Presidenti duhet të ndërhyjë në disa emërime. Nuk duhet ta degradojmë vendin”. Ajo shton: “Ministri i propozuar i Arsimit që iu prezantua parlamentit kishte vetëm drejtimin e një shkolle në portofolin e tij!”.
Sa më sipër është vetëm maja e ajsbergut të përmasave kolosale të korrupsionit në institucionet qeveritare të drejtuara familjarisht. Fakti është se rastet e korrupsionit dhe grabitjes së burimeve të popullit iranian, si dhe nepotizmi dhe miqësitë në postet qeveritare, janë të zakonshme. Ato nuk kufizohen në një administratë dhe janë bërë emërues i përbashkët i të gjitha administratave.
Korrupsioni dhe nepotizmi janë plotësisht të institucionalizuara kur bëhet fjalë për regjimin. Janë këta faktorë, së bashku me shtypjen çnjerëzore të popullit iranian, që i lidhin bashkë zyrtarët dhe udhëheqësit e regjimit në përpjekjen e tyre të dëshpëruar për ta kapur dhe ruajtur pushtetin në një regjim tashmë të dobët.





