
Kërcënimi për pasurim deri në 60 përqind është konfirmimi më i fundit për faktin që Irani nuk i merr negociatat seriozisht. Që kur u shfaq perspektiva e rikthimit të SHBA tek JCPOA, zyrtarët iranianë kanë këmbëngulur që sanksionet amerikane duhet të hiqen menjëherë dhe plotësisht, pa marrë parasysh statusin e shkeljeve gjithëpërfshirëse të paktit nga ana e Teheranit.
Zëvendës Sekretarja amerikane e Shtetit, Ëendy Sherman, tha gjatë seancës së saj të konfirmimit: “Faktet në terren kanë ndryshuar, gjeopolitika e rajonit ka ndryshuar, kështu që rruga që duhet ndjekur duhet të ndryshojë gjithashtu.” Një koment i tillë bëhet edhe i rëndësishëm nga fakti që Sherman ka qenë udhëheqëse e skuadrës amerikane në negociatat kur JCPOA po merrte formë nën administratën Obama. Nëse ajo e pohon nevojën për ndryshim, atëherë Teherani nuk ka se si të shpresojë që ta bindë botën se ka më shumë vlerë status quo-ja. E megjithatë, është pikërisht kjo ajo që Teherani po përpiqet të bëjë, për arsyen e thjeshtë që regjimi iranian nuk ka alternativë tjetër.
Sigurisht, Teherani do të kishte patur plot mundësi të tjera nëse do të kishte qenë ndonjëherë i gatshëm të negocionte në mirëbesim. Por ngurrimi i regjimit për të hedhur edhe një hap të vogël larg pozicionit që ka marrë që më përpara është dëshmi për faktin që kushtet e JCPOA-së ishin maksimumi absolult që Teherani do të kishte qenë i gatshëm të pranonte ndonjëherë. Kjo duhet të na alarmojë, duke marrë parasysh edhe se tërheqja e SHBA-së nga kjo marrëveshje në maj 2018 u mbështet nga një numër i madh komentatorësh e politikëbërësish, si brenda SHBA, ashtu edhe tek aleatët e tyre, veçanërisht në Lindjen e Mesme.





