Donald Trump tha javën e shkuar se SHBA do “t’ua ndreqë” vendeve që vazhdojnë të blejnë naftë iraniane pas fillimit të sanksioneve më 4 nëntor, duke treguar kështu se ai është i gatshëm ta rrisë trysninë ekonomike mbi Iranin.
Kjo gjë i ka bërë mullahët e Iranit që të reagojnë me zemërim, dhe Lideri Suprem Ali Khamenei i ka urdhëruar zyrtarët e tij të gjejnë zgjidhje për krizën ekonomike të vendit e cila është përkeqësuar nga rivendosja e sanksioneve amerikane, sipas agjensisë gjysëm-zyrtare të lajmeve, Fars. Kjo vjen pasi Regjimi hoqi qafe kreun e bankës qendrore, ministrin e punës, dhe ministrin e ekonomisë; në përpjekje për të gjetur një dash kurbani të cilit të mund t’ia vërë fajin.
Riali iranian ka rënë më shumë se 75% në vlerë që nga fillimi i 2018-ës dhe përqindja vjetore e inflacionit deri më 10 tetor ishte 264%, sipas Profesorit Steve Hanke, ekspert i njohur mbi inflacionin, monedhën, politikat monetare dhe ekonominë në Universitetin Johns Hopkins.
E gjithë kjo pasiguri ekonomike ka shkaktuar trazira sociale dhe protesta mbarëkombëtare, dhe ankthi i shkaktuar nga inflacioni i lartë dhe shtimi i papunësisë rritet çdo ditë e më shumë.
Sigurisht, Regjimi është përpjekur t’i shtypë këto protesta, duke përdorur kërcënime, premtime mashtruese, dhe duke arrestuar punëtorët grevistë.
Mohsen Karami, kujdestari i prokurorisë së Qazvin në Iranin veri-perëndimor, ka thënë se 17 persona janë arrestuar në atë provincë, supozimisht për arsye se ua kanë penguar punën shoferëve të kamionëve, dhe mund të përballen me dënimin me vdekje.