Friday, September 20, 2024

Tregtia e Naftës Krudo të Iranit do të Çohet në Zero

Shkruar nga Mahmoud Hakamian më 27 prill 2019.

Nga Mahmoud Hakamian

Presidenti Trump ka vendosur të mos bëjë asnjë përjashtim lidhur me sanksionet amerikane. Lehtësimet aktuale do të skadojnë më 2 maj. Shtëpia e Bardhë ka nxjerrë një deklaratë rreth vendimit të Uashingtonit për t’i çuar në zero eksportet e naftës së regjimit iranian.

SHBA, së bashku me anëtarët e OPEC, janë “të përkushtuar që të garantojnë që tregjet globale të naftës të mbeten të furnizuara si duhet. Kemi rënë dakord që të marrim masa me kohë për t’u siguruar që kërkesa globale të plotësohet ndërkohë që e gjithë nafta iraniane hiqet nga tregu.”

Rivënia e sanksioneve nga SHBA mbi naftën krudo iraniane ka garantuar rritjen e presionit ekonomik kundër regjimit iranian. Megjithatë, në fillim, u bënë lehtësime për tetë vende: Kinën, Indinë, Japoninë, Korenë e Jugut, Taivanin, Turqinë, Italinë, dhe Greqinë. Ky vendim u dha kohë aleatëve dhe partnerëve të SHBA-së që ta zëvendësonin naftën iraniane, pa shkaktuar ndonjë efekt dramatik tek tregu i naftës i cili në atë kohë kishte ofertë të mjaftueshme.

Lehtësimet e lejuan regjimin iranian të eksportojë rreth një milion fuçi në ditë (bpd). Kjo sasi ishte shumë më e ulët sesa sasia prej afërsisht 2.5 milion bpd që eksportonte vitin e shkuar. Tani, me përfundimin e lehtësimeve, regjimi iranian pritet që të përballet me vështirësi shumë më të rënda. Pa lehtësimet, ekportet e naftës iraniane ndodhen përballë kolapsit, dhe impakti i çmimeve të larta të naftës do të ndihet nga të gjitha ekonomitë e botës.

SHBA pritej t’i bënte vendet që thjesht t’i reduktonin blerjet nga Irani, dhe të bënin një tranzicion të lehtë drejt ofruesve të tjerë. Me rritjen e prodhimit të naftës dhe eksporteve nga anëtarët e OPEC, kryesisht nga Arabia Saudite, kjo gjë mund të ishte arritur. Por tani, Arabia Saudite dhe karteli duket se po i shmangen çdo reference ndaj rritjeve të prodhimit nga ana e tyre. Fuqia e Arabisë Saudite për të negociuar është e fortë, kështu që mund të jetë duke testuar se sa lart mund të shtyhen çmimet e naftës.

Ndërkohë, pritet që eksportet e naftës krudo nga Irani të vazhdojnë, por me vëllime shumë më të ulëta sesa nivelet aktuale. Sektori i transportit të tankeve nuk e sheh rritjen e çmimeve si lajm pozitiv, dhe regjimi iranian vazhdon me kërcënimet e tij për të bllokuar Ngushticën e Hormuzit nëse SHBA vazhdon me kufizimet e plota për fuçitë iraniane. Të paktën një e pesta e qarkullimit të botës kalon përmes këtij rajoni, dhe do t’i pengonte transportet e eksportuesve të mëdhenj, si Iraku, Kuvaiti dhe Arabia Saudite.

Çmimet e naftës u rritën më shumë se dy përqind të hënën. Tani që në SHBA po afrohet sezoni i udhëtimeve të verës, amerikanët janë të shqetësuar. Shumë prej tyre presin të përballen me çmime shumë më të larta se vitin e shkuar.

Ndërkohë që shumica e vendeve për të cilat janë bërë lëshime lidhur me sanksionet, e kanë të lehtë të gjejnë alternativa të tjera, Korea e Jugut është kryesisht e interesuar për kondensate ultra të lehta që përdoren për produktet petrokimike. Një pjesë e ofertës po zëvendësohet nga SHBA, por çmimet nuk janë aq konkuruese sa ç’ishin me Iranin.

Gjithashtu, Pekini priste që të zgjatej afati i lehtësimeve. Siç ka komentuar zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Geng Shuang, bashkëpunimi i Kinës me Iranin ka qenë “i hapur, transparent, i arsyeshëm, dhe legjitim.” Më parë, SHBA e lejonte Kinën të importonte 360,000 bpd, ndërsa India lejohej të blinte 300,000 bpd. Nëse prodhuesit e mëdhenj, anëtarët e OPEC, nuk e mbulojnë boshllëkun, zëvendësimi i këtyre fuçive iraniane mund të rezultojë i vështirë, dhe çmimet e naftës mund të shkojnë shumë lart.

Rusia nuk do të jetë dakord me një rritje “të pakontrolluar” çmimesh, ka deklaruar rishtazi Vladimir Putin. Moska nuk ka arsye për të ndjekur marrëveshjen e OPEC+ pas qershorit, dhe një rritje e mundshme në eksportet e saj mund ta eliminojë impaktin e kolapsit të regjimit iranian.