Të Burgosurit Politik Iranian i Mohohet Trajtimi Mjekësor që do t’i Shpëtonte Jetën

354

Irani po ia mohon trajtimin urgjent mjekësor që i duhet për shpëtimin e jetës një të burgosuri politik të diagnostikuar me një lloj të rrallë të kancerit të kockës.

Arash Sadeghi, 38, po vuan një dënim me 19 vite burg për punën e tij paqësore në mbrojtje të të drejtave të njeriut, në kuadër të së cilës ka folur për mediat dhe për Amnesty International.

Ai ka vuajtur nga probleme mjekësore që kur u dërgua në burgun Raja’i Shahr në Karaj në qershor 2016. Besohet se këto probleme nisën me një infeksion të patrajtuar në sup, i cili u zhvillua më tej pas një operacioni, duke i shkaktuar dhimbje të rënda në krah.

Sadeghi u transferua më pas në një qendër mjekësore, ku mjekët e diagnostikuan me një tumor kanceroz në sup dhe rekomanduan një transferim të menjëhershëm për trajtim mjekësor të specializuar. Megjithatë, autoritetet e burgut e ndaluan transferimin dhe i kanë mohuar vazhdimisht kërkesat për trajtim apo kontrolle të mëtejshme. Në fillim, Sadeghi-t as nuk iu tregua diagnoza.

Sadeghi nuk ka qenë në spital që nga shtatori dhe tani nuk mundet ta lëvizë krahun e djathtë, dhe infeksioni në sup i përkeqësohet çdo ditë e më shumë. Babai i tij Hossein ka postuar së fundmi në Twitter për të shprehur shqetësimin e tij lidhur me shëndetin e Sadeghi-t.

Sadeghi është akuzuar për “veprim kundër sigurisë kombëtare, pjesëmarrje në protesta, shpifje ndaj udhëheqësit suprem, formim të grupeve të paligjshme, dhe propagandë kundër regjimit” dhe është dënuar me 15 vite. Atij i ishte dhënë më përpara një dënim i pezulluar me 4 vite, i cili iu shtua dënimit të ri.

Sadeghi ka thënë se këto akuza janë fabrikuar nga gjykata dhe Trupat e Gardës Revolucionare.

Në shtator, Amnesty International nisi një fushatë për ta nxitur Regjimin Iranian që ta lejojë transferimin e Sadeghi-t në Institutin e Kancerit për t’iu nënshtruar testeve kritike, në vijim të përpjekjeve të dështuara të familjes së tij për ta bindur Prokurorinë e Teheranit që ta autorizojë transferimin.

Amnesty shkruan: “Jeta e Arashit po varet në fije të perit – stafi mjekësor thotë se “koha është thelbësore” … Autoritetet iraniane [duhet] ta lirojnë menjëherë Arashin dhe të sigurohen që ai të marrë trajtimin e specializuar mjekësor që i nevojitet.”

Fatkeqësisht, pavarësisht marrjes së 11,000 firmave, fushata e Amnesty u shpërfill nga Regjimi dhe Sadeghi mbetet ende i patrajtuar.

Gruaja e Sadeghi-t, Golrokh Ebrahimi Iraee, po vuan gjithashtu një dënim me burg për aktivizëm kundër Regjimit. Ajo është dënuar me gjashtë vite burg për shkrimin e një tregimi të papublikuar rreth praktikës barbare të gjuajtjes me gurë deri në vdekje.

Iraee, e cila ishte në spital në atë kohë dhe nuk mundi të merrte pjesë në gjyq, u gjykua nga Dega 15 e Gjykatës Revolucionare. Gjykatësi Abolqasem Salavati nuk pranoi ta shtynte procesin për të dëgjuar mbrojtjen e Iraee-së. Megjithatë, akuzat për “bashkëpunim kundër sigurisë kombëtare”, “propagandë kundër shtetit”, “përhapje të gënjeshtrave në hapësirën kibernetike”, dhe “fyerje ndaj themeluesit të Republikës Islamike [Khomeini]” u konfirmuan në apel.

Sadeghi bëri grevë urie për 71 ditë për të protestuar kundër dënimit të saj dhe pati disa komplikacione të shëndetit.