Monday, February 6, 2023

Studentja Iraniane Aktiviste Dënohet me 10 Vite Burg, 147 Goditje me Kamxhik

Marzieh Amiri, një studente aktiviste dhe gazetare, është dënuar me 10 vite e 6 muaj burg dhe 147 goditje me kamxhik.

Gjyqi i znj. Amiri u mbajt në Teheran më 13 gusht 2019, i kryesuar nga gjykatësi famëkeq Mohammad Moghiseh. Motra e saj, Samira Amiri ka shkruar në profilin e saj personal në mediat sociale se e motra ishte dënuar me 147 goditje dhe 10 vite e gjysëm burg, gjashtë prej të cilave mund të imponohen, ka raportuar Komiteti i Grave i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit.

Znj. Amiri ka vuajtur nga epilepsia në kohën e marrjes në pyetje për shkak të presioneve fizike dhe psikologjike. Por Moghiseh refuzoi ta lironte me kusht apo ta lironte përkohësisht për trajtim mjekësor.

Marzieh Amiri ishte njëra prej disa aktivistëve të punëtorëve që u arrestuan në një protestë në Teheran në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Më parë, Nasrin Javadi (Azam Khezri), një aktiviste e punëtorëve e arrestuar në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve në Teheran, u dënua me 7 vite burg dhe 74 goditje me kamxhik. Znj. Javadi ka qenë punonjëse e Kompanisë së Distribucionit Mjekësor dhe e Organizatës së Sigurimeve Shoqërore.

Mes aktivisteve të tjera të punës që janë aktualisht në burg, përfshihen Neda Naji, Atefeh Rangriz, Marzieh Amiri, Anisha Assadollahi, Sanaz Allahyari, Sepideh Qolian, dhe Asal Mohammadi, sipas Komitetit të Grave të NCRI-së.

Gjithashtu, të shtunën më 24 gusht, në gjykatën e regjimit në Karaj u mbajt një seancë dëgjimore për Parvin Mohammadi, Zëvendës Presidente e Unionit të Lirë të Punëtorëve të Iranit. Znj. Mohammadi është arrestuar nga forcat e sigurisë në një ceremoni të organizuar para Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve në Parkun Jahan Nama që ndodhet në autostradën Teheran-Karaj, më 26 prill 2019. Parvin Mohammadi akuzohet për propagandë kundër regjimit.

Të enjten më 22 gusht, znj. Shahla Entesari, një aktiviste e të drejtave të grave u arrestua nga forcat e sigurisë. Agjentët e Ministrisë së Inteligjencës e arrestuan znj. Ansari në kopshtin e saj privat në Rasht. Nuk dihet vendndodhja e kësaj aktivisteje të të drejtave të grave. Ajo ishte arrestuar dhe liruar më përpara në Ditën Ndërkombëtare të Gruas në 2017-ën.