Lideri suprem i regjimit iranian Ali Khamenei (në të djathtë) i ka spastruar kandidatët e grupimit rival në anën e presidentit të regjimit Hassan Rouhani (në të majtë), me afrimin e datës së zgjedhjeve false parlamentare
Iran: Zgjedhjet False – Nr. 3
Lideri suprem i regjimit iranian, Ali Khamenei, i vendosur për të themeluar një regjim njëpolar, përmes një spastrimi të paprecedent të kandidatëve të grupimit rival për në parlament, është njëkohësisht i tmerruar nga një bojkotim mbarëkombëtar i maskaradës së zgjedhjeve.
Dje, ai u dha detyrë udhëheqësve të lutjeve të së premtes që t’i sulmojnë rivalët e tij dhe ta nxisin popullin të votojë. Kjo ndërkohë që shumë vrojtues e zyrtarë të regjimit kanë shprehur shqetësim të madh lidhur me pjesëmarrjen jashtëzakonisht të ulët në zgjedhje.
Ahmad Alamol-Hoda, përfaqësuesi i Khamenei-t në Khorassan, duke folur gjatë lutjeve të së premtes në Mashhad, u shpreh i alarmuar për të ardhmen e regjimit. “Duhet të qëndroni tek dera e Majlis (Parlamentit) dhe të mos i lejoni disa (deputetë) të futen brenda. Ata që e kundërshtojnë liderin, qoftë edhe fare pak, ata që nuk e pranojnë plotësisht liderin, sundimin e tij absolut, dhe devijojnë nga lideri.”
Kazem Sediqi, udhëheqësi i lutjeve të së premtes në Teheran, tha se në testamentin e tij, Khomeini i kishte bërë thirrje “popullit të shkonte në votime. Khamenei ka kërkuar që ju të votoni. Duam një parlament të denjë për (Qassem) Soleimani-n. Deputetë të cilëve mund t’u besohet. Jo që të firmosin marrëveshje kaq [të këqija] me të huajt. Nuk duhet të votoni për ministrat me histori krimi.”
Më 11 shkurt, televizioni shtetëror transmetoi komentet e Khomeini-t rreth Këshillit të Gardianëve, ku ai kishte thënë, “Kushdo që thotë se vendimi i Këshillit të Gardianëve është i gabuar, është njeri i korruptuar. Një njeri i tillë është i korruptuar dhe duhet të ndiqet penalisht si një njeri që ka korruptuar tokën.”
Udhëheqësi i lutjeve të së premtes në Sari të Iranit verior tha se Khamenei ka këmbëngulur që, “Duam pjesëmarrje të plotë, jo thjesht një shumicë, në mënyrë që të përmirësohet siguria e sistemit dhe e vendit.” Lideri i lutjeve të së premtes në Orumiyeh të Iranit veri-perëndimor tha, “Zgjedhjet janë detyrë fetare dhe nacionaliste dhe mund të sigurojnë forcën e kombit.” Ndërsa lideri i lutjeve të së premtes në Bandar Abbas të Iranit jugor shtoi, “Po bëhet propagandë e madhe nga fuqitë arrogante për të ndikuar tek zgjedhjet në përpjekje për ta shkurajuar popullin tonë nga pjesëmarrja.”
Udhëheqës të tjerë të lutjeve të së premtes i kanë përshkruar zgjedhjet si “një provë hyjnore,” “lutje,” dhe “më të detyrueshme sesa faljet e agjërimi.” Ata thanë se mos-pjesëmarrja do të përbënte “tradhëti dhe marrjen e anës së armikut,” dhe se “nëse pjesëmarrja do ta kalojë nivelin 55 përqind, do të kishte një impakt të madh në rritjen e sigurisë kombëtare.”
Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), ka theksuar se populli iranian e ka hedhur votën e tij të vërtetë me thirrjet vdekje Khamenei-t gjatë kryengritjeve të nëntorit 2019 dhe janarit 2020. Ajoo shtoi se bojkotimi i zgjedhjeve është detyrë patriotike dhe detyrim ndaj galaksisë së martirëve, sidomos 1,500 martirëve të kryengritjes së nëntorit 2019. Duke thirrur “vdekje parimit të velayat-e faqih (sundimi absolut klerikal),” “vdekje tiranit, qoftë ai Shahu apo Lideri,” populli iranian e ka bërë të qartë se kërkon një të ardhme pa Shah apo mullahë, si dhe të bazuar në demokraci e në një republikë nga populli.
Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit
15 shkurt 2020