Wednesday, September 11, 2024

Skocezët do t’i Bashkohen Protestës për Lirinë e Iranit Sot në Londër, Duke Bërë Thirrje që t’i Jepet Fund Regjimit të Iranit – The National

Shkruar nga Sedighe Shahrokhi  27 korrik 2019.

Mijëra demonstrues nga e gjithë Mbretëria e Bashkuar, përfshirë Skocinë, pritet të mblidhen në Londër për të kërkuar që t’i jepet fund regjimit klerikal në Iran, raporoi The National të shtunën më 27 korrik 2019.

Ky tubim vjen në një kohë tensionesh të larta midis Britanisë dhe regjimit të Iranit pas kapjes pranë Gjibraltarit të një anijeje cisternë iraniane të ngarkuar, dhe kapjes në formë shpagimi të një cisterne me flamur britanik në ujërat e Omanit nga Garda Revolucionare (IRGC) e regjimit.

The National shkruan se tubimi është organizuar nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI).

Hossein Abedini i zyrës së NCRI-së në Londër, tha për The National: “Anglo-iranianët do të bëjnë thirrje për vënien e sanksioneve gjithëpërfshirëse kundër regjimit klerikal dhe për përfshirjen e IRGC-së dhe Ministrisë së Inteligjencës e Sigurisë (MOIS) të mullahëve në listën terroriste, si dhe për njohjen e së drejtës së iranianëve për ta përmbysur regjimin.”

Ai tha se protestuesit do të shprehin mbështetje për rritjen e veprimtarive të njësive të rezistencës të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK) brenda Iranit dhe për planin me 10 pika të Maryam Rajavi-t, presidentes së zgjedhur të NCRI-së.

“Demonstrata e Londrës është protesta e pestë madhore e rezistencës iraniane në javët e fundit, në mbështetje të protestave dhe grevave në Iran që zhvillohen nga populli iranian për ndryshim regjimi.

“Javët e fundit, dhjetëra mijëra iranianë kanë marrë pjesë në protestat e zhvilluara në Stokholm, Berlin, Uashington dhe Bruksel, me të njëjtat objektiva.

“Këto protesta po zhvillohen në një kohë kur regjimi klerikal po përballet me protesta të vazhdueshme shoqërore, në një ekonomi në rënie e sipër që po shkatërrohet për shkak të korrupsionit të shfrenuar, vjedhjeve në detyrë dhe politikave destruktive të mullahëve, dhe në një kohë kur regjimi klerikal nuk mund të mbështetet më tek politika e paqësimit, veçanërisht nga SHBA, për shpëtimin e tij.”

Dowlat Nowrouzi, përfaqësuesja e NCRI-së në Mbretërinë e Bashkuar, tha për The National: “Duke marrë nën kontrollin e tij cisternat e naftës në Gjirin Persik e në ujërat ndërkombëtare, regjimi iranian po i bën shantazh komunitetit ndërkombëtar me qëllimin për ta detyruar atë të tërhiqet mbrapsht si dhe për të ngritur moralin e forcave të veta gjithnjë e më të demoralizuara.”

“Këto zhvillime rikonfirmojnë vërtetësinë e gjykimit të Rezistencës Iraniane se, për sa kohë që ky regjim të jetë në pushtet, konfliktet dhe krizat do të vazhdojnë në rajon,” shtoi ajo.