Saturday, July 27, 2024

Sanksionet e SHBA-ve, shqetësojnë Iranin

 29/07/2017

Top Channel

Sanksionet e reja të Shteteve të Bashkuara prekin, përveç Rusisë, edhe Korenë e Veriut e Iranin.

Zyrtarët e regjimit iranian, sipas disa vëzhguesve, i druhen efektit të masave të mëtejshme shtrënguese dhe më shumë sesa atyre ekonomike, ia kanë frikën veprimeve kundër rojeve revolucionare islamike.

Vendosja e sanksioneve mbi organizmin që garanton mbrojtjen e regjimit sundues të vendit, shihet prej kundërshtarëve të tij si hap i nevojshëm dhe madje i vonuar.
Ata këmbëngulin se rojet revolucionare janë entiteti kryesor përgjegjës për shtypjen që ekziston në vend, eksportin e terrorizmit dhe ekstremizmit dhe sigurimin e armëve të rrezikshme, si atyre nukleare dhe raketave balistike. 

Ndryshimi i regjimit në Iran ishte temë qendrore e takimit të përvitshëm masiv, të rezistencës iraniane në Paris. Shumë prej të pranishëmve në konferencën e Mujahedin-e-Khalq, treguan se sa e rëndësishme është mbështetja e Shteteve të Bashkuara. 

“Ne ju përkrahim dhe i njohim vlerat tuaja. Qeveria amerikane e kupton rrezikun që buron nga Irani dhe ajo nuk ka për ta lejuar të krijojë një perandori në Lindjen e Mesme”, deklaroi atëherë Rudi Xhuliani. 

Ndërsa ish kryetari i dhomës së përfaqësuesve, Neët Gingrich tha se prania e 3.000 pjesëtarëve të MEK në Shqipëri, ishte një grusht i fortë  për diktaturën në Teheran.

Ndryshe nga vende si Iraku, në rastin e Republikës Islamike ekziston një opozitë demokrate dhe e organizuar. Pavarësisht përndjekjes dhe tentativave për demonizimin e tyre, muxhahedinët E-Khalq e kanë vazhduar për gati 40 vjet luftën e tyre kundër regjimit.