Friday, January 27, 2023

Sanksionet Amerikane po e Godasin Fort Regjimin e Iranit – Ish-Ligjvënësi Europian

Nga një Shkrimtar i Stafit

Dy ditë pasi Presidenti i regjimit iranian Hassan Rouhani u zotua se do ta kufizonte bashkëpunimin lidhur me kushtet e paktit ndërkombëtar bërthamor, ish-ligjvënësi europian Struan Stevenson argumenton se sanksionet amerikane po e lëndojnë regjimin tiranik të Iranit.

Në një artikull për United Press International më 10 maj, Stevenson vë në dukje se: “Pavarësisht deklaratave të mëparshme të presidentit iranian se vendi i tij është “i imunizuar ndaj sanksioneve amerikane,” rënia e ekonomisë dhe kolapsi i rialit, monedhës iraniane, së bashku me protestat mbarëkombëtare nga punëtorët në grevë, të cilat kanë 16 muaj që zhvillohen, janë shenjë e qartë e një qeverie të dështuar që tani po kërkon dëshpërimisht ndihmë.”

“Së dyti, kërcënimi se do të rifillojë pasurimin e uraniumit ekspozon të vërtetën prapa programit bërthamor të Iranit dhe tregon qartë se ky program nuk ka qenë kurrë i projektuar për qëllime paqësore, por ka patur gjithmonë qëllimin të prodhojë armë bërthamore.”

Stevenson shton se në vitin 2002, “Këshilli Kombëtar i Rezistencës në Iran, opozita kryesore demokratike ndaj regjimit, zbuloi informata konkrete që vërtetonin se Irani po pasuronte uraniumin në një nivel që përputhet me ndërtimin e armëve bërthamore. Irani po ndërtonte gjithashtu sisteme të avancuara të lëshimit të raketave që mund të përdoren për këtë qëllim. Ky zbulim e tronditi gjithë botën.”

Stevenson argumenton se pakti bërthamor i 2015-ës (JCPOA) ishte një akt flagrant paqësimi nga administrata Obama dhe fuqitë europiane, duke ia hequr sanksionet regjimit dhe çliruar mbi 150 bilion dollarë asete të ngrira. Është qesharake gjithashtu që ky pakt madje “ra dakord me kërkesën që zonat ushtarake brenda Iranit të përjashtoheshin nga inspektimet rutinë të Agjensisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, pavarësisht informatave që tregonin se një pjesë e madhe e programit të armëve bërthamore dhe raketave po zhvillohej në këto zona ushtarake top-sekrete.”

“JCPOA i dha një ndihmesë diktaturës teokratike, eksporti më i madh i së cilës është terrori, duke ia bërë të mundur që t’i armatosë aleatët e saj të huaj dhe proksit si Bashar al-Assad në Siri, rebelët Houthi në Jemen, militantët brutalë Shi’ia në Irak dhe Hezbollahu terrorist në Liban.”

Stevenson shkruan më tej:

Donald Trump e ka qortuar paktin bërthamor me Iranin duke e quajtur si “pakti më i keq i mundshëm” gjatë fushatës së tij presidenciale dhe u zotua se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqeshin nga ai. Si president, ai e përmbushi këtë premtim zgjedhor, i riktheu sanksionet e forta dhe muajin e shkuar e listoi madje Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit si organizatë të huaj terroriste. IRGC, e cila është ekuivalentja e Gestapos së regjimit, kontrollon pjesën më të madhe të ekonomisë iraniane, kështu që ky listim i saj nga amerikanët e bën virtualisht të pamundur për bizneset perëndimore që të bëjnë tregti me Iranin.

Por protestat e Rouhani-t kanë ekspozuar gjithashtu gënjeshtrat dhe dyfytyrësinë e një regjimi që lutet për ndihmë ekonomike ndërkohë që ambasadat e tij në Europë përdoren si fabrika bombash dhe qeliza për komplotimin e vrasjeve dhe sulmeve terroriste në tokën europiane. Arrestimi i agjentëve iranianë në Europë, të cilët kishin planifikuar vrasje dhe sulme terroriste ndaj anëtarëve të opozitës iraniane, është provë e qëllimeve malinje të regjimit.

Diplomati, Assadollah Assadi, ishte një agjent kryesor i Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë, i cili vepronte nën maskën e një anëtari të stafit diplomatik në Ambasadën Iraniane në Vienë. Dyshohet se ai u ka dorëzuar një bombë tre agjentëve të tjerë iranianë duke i udhëzuar ata që të sulmonin tubimin e NCRI-së që po zhvillohej në Paris në qershor, ku ishin të pranishëm mbi 100,000 burra, gra e fëmijë. Një komplot i ngjashëm me bomë në Shqipëri kundër opozitës, Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK/PMOI), u parandalua nga policia dhe çoi në përjashtimin e ambasadorit iranian dhe sekretarit të parë të tij nga Ambasada Iraniane në Tiranë.

Një regjim që i dërgon diplomatët e tij për të vrarë e sakatuar qytetarë të pafajshëm në Europë e ka larguar veten nga normat e sjelljes së qytetëruar. Protestat e Rouhani-t duhet të trajtohen me përbuzjen që meritojnë. Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania duhet të ndjekin shembullin e Amerikës – të tërhiqen nga pakti bërthamor dhe të vënë sanksione të forta mbi këtë diktaturë të kalbur, duke e përshpejtuar vdekjen e saj të pashmangshme.

Struan Stevenson është koordinator i Fushatës për Ndryshimin e Iranit. Ai ka qenë anëtar i Parlamentit Europian ku përfaqësonte Skocinë (1999-2014).