Rouhani dhe Ministri i Brendshëm Shprehin Frikë nga Përmasat e Kryengritjes, Kërkojnë Transmetimin e “Rrëfimeve” të Detyruara, të Nxjerra nën Torturë

443

Protestat në Iran- nëntor 2019-foto fajli

Publikuar më 28 nëntor 2019.

Kryengritja në Iran – Nr. 37

Znj. Rajavi bën thirrje për dërgimin e një misioni të gjetjes së fakteve që t’i vizitojë të arrestuarit

Ndërkohë që liderët e regjimit iranian po shprehin njëri pas tjetrit frikën nga përmasat e kryengritjes mbarëkombëtare, Hassan Rouhani dhe Ministri i tij i Brendshëm kanë dhënë urdhër për transmetimin e “rrëfimeve” të detyruara nga të arrestuarit.

Përdorimi i torturës për të nxjerrë rrëfime dhe detyrimi i të arrestuarve për të marrë pjesë në intervista televizive janë praktika rutinë nën sundimin e mullahëve. Këto praktika janë shkelje skandaloze të të drejtave njerëzore dhe duhet të dënohen nga komuniteti ndërkombëtar.

Dje, më 27 nëntor, Lideri Suprem i regjimit Ali Khamenei e përshkroi kryengritjen si “një konspiracion i thellë, i gjerë e i rrezikshëm” në të cilin “armiqtë kishin investuar shumë për ta planifikuar.” Njëkohësisht, Rouhani tha, “Armiku trajnon, dërgon para dhe pajime… Të arrestuarit duhet të vijnë e t’ia shpjegojnë popullit. Këtu, po i udhëzoj ministritë e Brendshme dhe të Inteligjencës që, ata që i udhëheqin [protestat] nga shtëpia, ata që kishin magazinuar armë të shumta në shtëpitë e tyre, ata që ishin anëtarë ekipesh, duhet të vijnë e t’ia shpjegojnë të gjitha popullit.”

Më 26 nëntor, Ministri i Brendshëm Abdolreza Rahmani Fazli tha në një intervistë televizive, “Jemi përmbytur nga një krizë më serioze në pesë provinca. Dëmet më të shumta janë shkaktuar në Mallard, Baharestan, Quds, dhe Islamshahr… Të shtunën shpërthyen incidente e përplasje në 100 pika të Teheranit… Janë sulmuar mbi 50 baza të forcave ushtarake, të sigurisë e të zbatimit të ligjit. Rreth 500 njerëz ishin drejtuar për në radio-televizionin shtetëror. Por forcat tona i zmbrapsën ata.” Fazli theksoi, “Tani që po arrestohen njerëzit kyç, disa nga kontaktet e tyre me elementë të huaj janë monitoruar dhe rrëfimet e tyre duhet të transmetohen në televizion.”

Më herët, Brig. Gjen. Salar Abnoush, komandanti i operacioneve i paraushtarakëve Bassij, kishte thënë, “Kishte ndodhur një koordinim i çuditshëm e i ndërlikuar. Ata po prisnin vetëm shkëndijën për ta shkatërruar vendin. Informacione të mëtejshme do të jepen pas rrëfimeve.” Më 25 nëntor, përfaqësues të Ministrisë së Inteligjencës (MOIS) dhe Forcave të Sigurisë së Shtetit (SSF) morën pjesë në një seancë me dyer të mbyllura të Komitetit të Majlis (Parlamentit) për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme. Zëdhënësi i këtij komiteti,Hossein Naqavi, i citoi përfaqësuesit e MOIS duke thënë, “Gjatë dy viteve të fundit, MEK kishte trajnuar grupe e qarqe të ndryshme, dhe i kishte udhëhequr ato në protesta. Këto nuk do të jenë incidentet e fundit dhe mund të kemi të tjera të ngjashme.” Në po atë mbledhje, përfaqësuesi i SSF, Hossein Sajedinia, tha se Forcat e tij e kishin kontrolluar situatën me “ndihmën e IRGC-së, Bassij, dhe Ushtrisë.”

Që nga nisja e kryengritjes, znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), u ka bërë thirrje Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara dhe shteteve anëtare, Bashkimit Europian, dhe të gjitha organeve të të drejtave njerëzore që të marrin masa urgjente për t’i ndaluar vrasjet dhe arrestimet masive, duke i kërkuar OKB-së të dërgojë misione të gjetjes së fakteve për të vizituar të arrestuarit. Meqë shumë prej të arrestuarve përballen me torturë, rrëfime të detyruara dhe ekzekutim, dërgimi i misioneve të tilla është edhe më urgjentisht i domosdoshëm.

Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit

28 nëntor 2019